Trupi i 39-vjeçarit u gjet i copëtuar në një apartament në Torino, 26-vjeçari pranon vrasjen: E vrava pa dashje pas një sherri Një zbulim tronditës është raportuar në Meksikën perëndimore, ku një grup vullnetarësh që kërkon persona të zhdukur thotë se ka gjetur të paktën 1600 dhëmbë qumështi në një zonë të dyshuar si varr masiv.
Grupi, i përbërë nga prindër të personave të zhdukur dhe i themeluar nga ish-deputetja e Michoacan-it, Margarita Lopez, kërkon që dhëmbët t’i nënshtrohen analizave gjenetike për të përcaktuar identitetin e mundshëm të viktimave.
Sipas Lopez, grupi kishte kryer një kërkim në vitin 2021 në qytetin Zacapu, në shtetin Michoacan, i shoqëruar nga një hetues i Prokurorisë së Meksikës. Gjatë kërkimit, ata vunë re tym që ngrihej nga një kodër dhe më pas shkuan drejt një prone që dyshohet se i përkiste një trafikanti droge nga Sinaloa.
Aty, sipas saj, u zbuluan mbetje që dyshohej se ishin njerëzore. Një zyrtar i identifikuar vetëm si “Braulio” pastroi një prej dhëmbëve dhe përcaktoi se i përkiste një fëmije.
Lopez, vajza e së cilës u zhduk në vitin 2011 dhe mbetjet e saj u gjetën dy vite më vonë në një pjesë tjetër të vendit, thotë se ka vijuar kërkimet në atë zonë dhe ndër vite ka gjetur fragmente kockash njerëzore. Të mërkurën, grupi pretendon se ka zbuluar edhe grupe dhëmbësh qumështi.
Lopez ka hedhur dyshime se dhëmbët mund t’u përkasin fëmijëve nga 1 deri në 12 vjeç, të cilët mund të kenë qenë viktima të trafikimit të organeve ose shfrytëzimit seksual. Megjithatë, këto janë vetëm pretendime dhe deri tani nuk janë konfirmuar përmes analizave mjekoligjore. Autoritetet nuk i kanë lidhur dhëmbët me viktima konkrete.
Prokuroria e Shtetit të Michoacan-it i ka mohuar pretendimet, duke deklaruar se që nga viti 2021 nuk ka marrë asnjë denoncim, referim apo kërkesë për ndërhyrje mjekoligjore lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë Lopez e ka kundërshtuar këtë version, duke pretenduar se gjatë nxjerrjes së 1,600 dhëmbëve kanë qenë të pranishëm punonjës të prokurorisë së Michoacan-it. Sipas saj, gjithçka është dokumentuar në hetimin paraprak. Ajo pretendon gjithashtu se në operacion kanë marrë pjesë një prokuror federal dhe specialistë të mjekësisë ligjore.
Zbulimi vjen në një vend që përballet prej vitesh me një numër shumë të lartë personash të zhdukur. Sipas të dhënave të cituara nga grupi, në Meksikë rezultojnë mbi 130 mijë persona të zhdukur, mes tyre më shumë se 18 mijë fëmijë.
Lopez i është drejtuar edhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të kërkuar ndihmë në hetim, ndërsa ka kritikuar edhe presidenten Claudia Sheinbaum për qëndrimin ndaj çështjes.
Për momentin, gjetja e dhëmbëve dhe origjina e tyre mbeten për t’u verifikuar në mënyrë të pavarur përmes analizave forenzike.
Top Channel