Masakër në një lokal në Afrikën e Jugut/ 17 të vrarë dhe 15 të plagosur, policia kërkon 8 autorët

27/09/2026 11:05

Të paktën 17 persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur pas një sulmi të armatosur në një bar në jugperëndim të Johanesburgut, në Afrikën e Jugut.

Ngjarja ndodhi të shtunën vonë në mbrëmje në një lokal në zonën Wendela, në provincën Gauteng. Sipas policisë, tetë persona të armatosur hynë në lokal dhe hapën zjarr ndaj klientëve.

Sulmuesit dyshohet se ishin të pajisur me pushkë AK-47 dhe pistoleta, ndërsa qëlluan në mënyrë të pakontrolluar brenda lokalit.

Mes viktimave janë edhe tre gra. Të 17 personat u gjetën brenda barit dhe u shpallën të vdekur nga ekipet e emergjencës.

15 persona të tjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Policia ka nisur një operacion për kapjen e tetë autorëve, të cilët ndodhen ende në arrati. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.

Top Channel