Kur të hënën e 14 shtatorit të gjithë prindërit ishin fokusuar te shoqërimi i fëmijëve në shkollë, dhuratat e tufat me lule për mësuesit, në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ishte ngritur një task forcë për të luftuar atë që më shumë shqetësohen gjithë prindërit: drogën para dyerve të shkollave 9 vjeçare apo gjimnazeve. Rrjeti i shpërndarësve të drogërave kishte kohë që kishte filluar punën për shpërndarjen e drogës në shkollë.
Por këtë herë dhe policia e shtetit e kishte menduar shumë më para operacionin e vet për të goditur disa prej linjave më shqetësuese e më kriminale në vend, e sidomos në kryeqytet. 13 agjentë të policisë së shtetit u shpërndanë në pika të ndryshme, aty, ku edhe më parë ka pasur informacione për shpërndarjen e lëndëve narkotike, raporton Newsbomb.al.
Në shkollat, Besnik Sykja, Ismail Qemali, Qemal Stafa, Shkolla e Mesme Ekonomike, Sami Frashëri, Aleks Buda, Ibrahim Rugova, Gramoz Palushi si dhe në shkollat 9 vjeçare 1 Maji, Kosova, Harry Fultz, Bajram Curri, 7 Marsi e Gjon Buzuku, kishte nga një agjent. Polica të rinj, të kamufluar në rolin e blerësit që pyesnin, kontaktonin, shkëmbenin numra telefoni me ata që porosisnin e sillnin mallin, duke u hequr si nxënës, të shkollave 9 vjeçare, apo gjimnazeve.
Me një koordinim perfekt, me dokumentim të plotë, me kamera të vogla të vendosura në trup, apo dronë që i vëzhgonin nga lart, agjentët e policisë blenë 78 doza lëndësh narkotike të llojit kokainë, heroinë, hashash. Çdo gjë e provuar, çdo gjë e dokumentuar, raporton newsbomb.al. E pas dy javësh, në sitën e tyre, me raportim pas raportimi arritën të identifikojnë 52 subjekte, ku 7 prej tyre ishin në rolin e furnizuesve kryesorë të lëndëve narkotike, dhe 45 të tjerë në rolin e shpërndarësit dhe shitësit të tyre. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 38 persona dhe u shpallën në kërkim 14 të tjerë.
Janë sekuestruar: - 1 kg e 75.2 grame lende narkotike e llojit heroine, 1 kg e 265 grame lende narkotike e llojit kokaine , 685 grame lende narkotike canabis sattiva, një arme zjarri pistolete me 10 fishekë, peshore elektronike, municione për arme zjarri model 56 - qese farmaceutike për paketimin e lendes narkotike, 12 automjete te markave te ndryshme, 35 telefona.
Asnjëherë më parë nuk ka ndodhur një operacion i tillë që në fillim të vitit shkollor. Goditja, më e madhe në historinë e shpërndarjes së lëndëve narkotike në shkollë, është një prej aksioneve të lavdërueshme të policisë së shtetit e që prek drejtpërdrejtë, çdo familje shqiptare.

