Fenomeni 4-vjeçar shqiptar nga Gjermania takon idhullin e tij, Kristjan Asllanin, në “Air Albania”

Luan Hasani, 4-vjeçari shqiptar nga Gjermania i njohur për talentin e tij të veçantë në futboll dhe videot virale, ka përjetuar një moment të veçantë në stadiumin “Air Albania”.
Gjatë ndeshjes Shqipëri–Bjellorusi, Luani takoi idhullin e tij, mesfushorin e Kombëtares, Kristjan Asllani. I shoqëruar nga babai i tij, Labinot Hasani, 4-vjeçari u përshëndet dhe u përqafua me Asllanin, ndërsa mori edhe një fanellë të Kombëtares me autografet e lojtarëve.
Luani pati mundësinë të vizitonte edhe ambientet e stadiumit dhe dhomat e zhveshjes së kuqezinjve, pak para nisjes së ndeshjes.
Ai është bërë i njohur në rrjetet sociale që në moshën 2-vjeçare, ndërsa videot e tij kanë grumbulluar miliona ndjekës në TikTok, Instagram dhe YouTube. Për talentin e tij kanë shfaqur interes edhe figura të njohura ndërkombëtare.
Takimi me Asllanin ishte një tjetër moment i veçantë për vogëlushin, i cili më pas festoi edhe fitoren 2-0 të Shqipërisë ndaj Bjellorusisë.


