Deputeti socialist Erion Braçe ka kritikuar çmimet e produkteve ushqimore dhe mënyrën se si disa supermarkete llogarisin euron dhe dollarin, duke ngritur pikëpyetje mbi fitimet e operatorëve të tregut.
Në një reagim në rrjetet sociale pas pazarit të javës, Braçe shkruan se perimet, frutat e freskëta dhe produktet e përpunuara vijojnë të shiten me çmime të larta. Sipas tij, këto çmime lidhen me kostot e prodhimit vendas, mungesën e mbështetjes dhe bashkëfinancimit, si dhe me një industri ushqimore që ai e cilëson “thuajse inekzistente”.
Braçe ndalet edhe te kursi i këmbimit që, sipas tij, afishohet në disa supermarkete. Ai thotë se në disa prej tyre euroja llogaritet me 90 lekë, ndërsa dollari me 77 lekë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për 25 shtatorin, kursi zyrtar ishte 91.97 lekë për euron dhe 80.74 lekë për dollarin, ndërsa kursi mesatar i blerjes ishte 91.56 lekë për euron dhe 80.22 lekë për dollarin.
Braçe argumenton se supermarketet, dyqanet dhe pikat e karburantit nuk janë të autorizuara të ushtrojnë veprimtari këmbimi valutor dhe duhet të kryejnë tregtimin në lekë. Ai ngre gjithashtu pyetjen se përse çmimet e produkteve të importuara nuk kanë reflektuar, sipas tij, rënien e euros dhe dollarit.
“Ndërsa leku forcohet dhe euro e dollari bien, çmimet e produkteve të importuara mbeten të larta”, shkruan deputeti, duke argumentuar se tregtarët i blejnë valutat me një kurs më të ulët, ndërsa produktet vijojnë t’i shesin me çmime të larta.
Në fund, Braçe ngre pyetjen nëse, në kushtet që ai i konsideron si parregullsi dhe mbifitime, operatorët e tregut duhet të taksohen më shumë.

