Rivaliteti, arti dhe lufta e ftohtë te “Maja dhe Natasha”
Një histori dashurie, rivaliteti, sakrifice dhe dëshire për liri vjen për lexuesin shqiptar përmes romanit “Maja dhe Natasha”, të autores Elyse Durham.
Romani, i botuar në vitin 2025 në Shtetet e Bashkuara, sjell në qendër dy motra binjake, të lindura gjatë rrethimit të Leningradit, në vitin 1941.
Nëna e tyre, prima balerinë e trupës së Baletit Kirov, e përballur me traumën e luftës, lindjen dhe humbjen e mundësisë për të vijuar karrierën artistike, i jep fund jetës pak pas lindjes së vajzave.
Maja dhe Natasha rriten nën kujdesin e shoqes së ngushtë të nënës së tyre dhe trashëgojnë prej saj pasionin dhe talentin për baletin. Akademia Vaganova dhe realiteti i Bashkimit Sovjetik bëhen bota e tyre, ndërsa rrugëtimi drejt skenës shoqërohet me rivalitet, zhgënjime, përndjekje dhe dilema të forta personale.
“‘Maja dhe Natasha’ është një roman bashkëkohor, i botuar në vitin 2025 në Shtetet e Bashkuara nga shkrimtarja Elyse Durham. Është një thriller historik që, në sfond, sjell teatrin, baletin dhe periudhën e Luftës së Ftohtë mes Rusisë dhe Amerikës.
Këto dy vajza, megjithëse janë motra, janë në garë me njëra-tjetrën për t’u bërë prima balerina të teatrit të Kirovit. Ato pësojnë zhgënjime të njëpasnjëshme, jo vetëm nga shoqëria dhe rrethi ku jetojnë, por edhe nga njëra-tjetra. Është një libër që, përveç dashurisë, sjell ndjenjën e tradhtisë, përndjekjes dhe dramave që kanë përjetuar artistë të veçantë në ato vite”, thotë botuesja Vasilika Tafa.
Përmes historisë së dy motrave, autorja ndërthur ngjarje dhe personazhe të frymëzuara nga realiteti me një rrëfim letrar, duke sjellë në vëmendje edhe përplasjen e dy sistemeve përmes artit.
“Është një libër që do të mrekullojë me pasionin e madh që këto dy vajza kanë për t’u bërë balerina të shkëlqyera, me dëshirën e madhe për lirinë dhe për të kërcyer të lira sipas tyre. Por në sfond të gjithë romanit është lufta e madhe mes këtyre dy kampeve, të cilat nuk duan të dominojnë vetëm me armatim apo politikë, por edhe me art. Në roman përshkruhen edhe ngjarje të lidhura me filmin dhe me figura të rëndësishme të baletit dhe kulturës së asaj periudhe”, vijon Tafa.
Bazuar në ngjarje të vërteta historike, autorja arrin t’i formësojë në një realitet letrar që ia del të kënaqë lexuesin.
“Sigurisht, shkrimtarja në fund të librit ka një përshkrim mbi ngjarjet e ndryshme ku është bazuar. Nuk mund të themi se romani është pikërisht ashtu siç kanë ndodhur ngjarjet, por situatat e përshkruara lidhen me realitetin e atyre viteve. Falenderoj për këtë roman dhe për gjuhën e tij të mrekullueshme edhe në gjuhën shqipe Elona Qosen, e cila është përkthyesja e këtij romani", shprehet botuesja.
“Maja dhe Natasha” është një roman ku përballet arti dhe politika, kufizimet e një regjimi shtypës dhe dy motra me dashurinë, rivalitetin dhe zgjedhjet e tyre.
Intuita: Dituri përtej logjikës”, Udhërrëfyes nga Osho
Kur mendja lodhet nga analiza dhe përgjigjet nuk gjenden më jashtë, është koha të zgjojmë intuitën. Ajo nuk pyet, ajo njeh. Nuk analizon, ajo ndriçon.
“Intuita: Dituri Përtej Logjikës” nga filozofi Osho, i sjellë në shqip nga shtëpia botuese “Fan Noli”, vjen si një ftesë për të eksploruar atë që ndodhet përtej mendjes racionale. Libri dallon tre nivele të vetëdijes: instinktin, intelektin dhe intuitën, duke argumentuar se shumica e njerëzve mbeten të bllokuar te logjika për shkak të frikës dhe nevojës për kontroll.
“Filozofia e Osho-s mbështetet mbi dy shtylla kryesore: mbi intuitën dhe mbi meditimin. Meditimi është çlirimi i njeriut duke fiksuar të menduarit mbi një forcë madhore apo ide madhështore. Ndërsa e dytë është intuita, shqisa e gjashtë me të cilën janë të pajisur njerëzit, por jo të gjithë në të njëjtin nivel”, thotë botuesi Rexhep Hida.
Ndryshe nga filozofia perëndimore e Frojdit apo Jungut që u përqendrua te analiza metafizike, Osho e zbërthen intuitën si një nuhatje krijuese natyrore. Për të ilustruar fuqinë e saj përkundrejt arsimimit formal, ai sjell tregimin e një hajduti të njohur në Indi, i cili donte ta bënte të birin arkitekt, por i biri zgjodhi rrugën e të atit.
I mbyllur brenda një arke nga rojet gjatë një sprove, djali nuk përdori logjikën, por intuitën e momentit: filloi të mjullinte si mace. Rojet e hapën arkën dhe ai u arratis. Aty i ati i tha: "Tani po, mund të bëhesh hajdut."
Kjo aftësi për të reaguar përtej mendimit shpesh ka bërë diferencën në histori — ku mungesa e intuitës ka qenë fatale, si në rastin e politikanëve që nuk ditën të lexojnë rreziqet.
“Intuita ka ekzistuar që në kohët e lashta. Ajo mbetet e zhvilluar veçanërisht te krijuesit, poetët, shkrimtarët, por edhe te femrat, të cilat shpesh kanë një avantazh natyror në intuitë përkundrejt intelektit të pastër. Të tjerët mund ta kenë, por në nivele më të ulëta”, vijon Hida.
Përkthyer nga Myfit Mushi, ky nuk është një libër psikologjie klasike, por një udhëtar shpirtëror. Ai u drejtohet të gjithë atyre që kërkojnë të dalin nga mbingarkesa mendore, të dallojnë zërin e brendshëm nga iluzioni dhe të ndërtojnë një lidhje më të fortë me vetveten.
“Të fshehtat e qytetit”! Humor, dashuri e plot të papritura
Dashuria mund të jetë më pranë nga sa mendojmë. Ndonjëherë fshihet pas një miqësie të gjatë, pas një përditshmërie të zakonshme… ose pas një sekreti që duket se e di i gjithë qyteti.
“Të fshehtat e qytetit”, nga shkrimtarja amerikane Jennifer Bardsley, është një roman romantik, plot humor, situata të papritura dhe personazhe të larmishme.
Në qendër të historisë janë Peter Marshalli dhe Noela Valtersi. Dy kolegë, miq të mirë dhe njerëz që i besojnë njëri-tjetrit gjithçka.
Peteri, një agjent i suksesshëm i pasurive të paluajtshme, prej kohësh ndien diçka më shumë për Noelën. Por ajo, vejushë dhe nënë beqare, ka zgjedhur të ndërtojë me kujdes një jetë të qëndrueshme për veten dhe djalin e saj. Dashuria nuk ishte më në planet e saj. Deri sa gjithçka ndryshon nga një postim në Facebook. Motra e Peterit e shpall atë si beqarin më të lakmuar të qytetit dhe menjëherë nisin komentet, hamendësimet dhe propozimet për partneren ideale.
Por Peteri nuk ka nevojë për një listë kandidaturash. Ai e di shumë mirë se kë dëshiron.
Dhe ndërsa i gjithë qyteti përpiqet t’i gjejë Peterit një partnere, Noela fillon të përballet me ndjenjat e veta.
“Është një libër i shkruar plot humor, me situata të papritura, por edhe me personazhe të larmishme. Në qendër kemi Noelën dhe Peterin, dy kolegë zyre, të cilët fillimisht shfaqen si dy miq shumë të mirë. Por dita-ditës, Noela fillon të kuptojë se jo vetëm ndjenjat e Peterit ndaj saj kanë ndryshuar, por edhe ndjenjat e saj ndaj Peterit nuk janë më ato të fillimit”, thotë botuesja Klodiana Metani Sula.
Në një qytet të vogël, ku të gjithë dinë gjithçka për të gjithë, sekreti më i madh është pikërisht ai që dy protagonistët ende nuk kanë guxuar ta pranojnë.
Por përtej humorit dhe situatave romantike, romani prek edhe një temë shumë njerëzore: frikën për të dashuruar përsëri dhe guximin për t’i dhënë vetes një mundësi të dytë.
“Shkrimtarja amerikane Jennifer Bardsley vjen për herë të dytë për lexuesin tonë, këtë herë me romanin e titulluar ‘Të fshehtat e qytetit’. Është një libër i shkruar plot humor, me situata të papritura, por edhe me personazhe të larmishme”, thotë Metani Sula.
Në qendër kemi Noela Valters dhe Peter Marshallin, dy kolegë zyre, të cilët ndajnë së bashku orët kryesore të ditës. Peteri është një djalë mjaft i pashëm dhe shumë i suksesshëm në punën e tij, ndërsa Noela është një nënë beqare, së cilës i është dashur, pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit, të kujdeset për rritjen e djalit të saj dhe të ndërtojë një jetë të qëndrueshme.
Në këtë qytet të vogël është shumë e vështirë të mbahen sekrete. Gratë e qytetit krijojnë një grup të përbashkët në Facebook, ku nisin të tregojnë gjithçka që shohin dhe dëgjojnë. Dhe, si për të mos mjaftuar kjo, motra e Peterit vendos të shpallë kandidaturën për bashkëshorten ideale të vëllait të saj beqar.
Pikërisht aty fillon një mori komentesh, hamendësimesh dhe diskutimesh. Noela, edhe pse kupton se bëhet fjalë për personin që ajo njeh shumë mirë, preferon të qëndrojë në heshtje. Por, dita-ditës, ajo fillon të kuptojë se jo vetëm ndjenjat e Peterit ndaj saj kanë ndryshuar, por edhe ndjenjat e saj ndaj Peterit nuk janë më ato të fillimit.
Të gjithë sytë e qytetit janë mbi ta, por a do të arrijnë Peteri dhe Noela t’i kapërcejnë pengesat dhe të gjejnë fundin e lumtur, që ka qenë gjithmonë pranë tyre?
Dhe pikërisht këtu qëndron edhe thelbi i romanit.
“Përtej humorit dhe thashethemeve të një qyteti të vogël, Jennifer Bardsley sjell një histori për frikën për të dashuruar përsëri dhe për guximin për t’i dhënë vetes një mundësi të dytë.”





Komente
Komento