Policia britanike njoftoi të dielën se kishte arrestuar disa persona nën dyshimin për shkelje të Ligjit për Lëndët Plasëse dhe se ushtria po kontrollonte disa automjete, pasi ishin shtuar masat e sigurisë në një bazë ajrore britanike që përdoret nga forcat ajrore të SHBA-së në Anglinë jugperëndimore. Qeveria britanike i dha autorizim SHBA-së për të përdorur bazën Fairford për të kryer sulme ndaj pozicioneve të raketave iraniane që po sulmojnë anije në Ngushticën e Hormuzit. Një dëshmitar okular i agjencisë Reuters tha se policia e armatosur kishte bllokuar hyrjen në portën kryesore të bazës. Rreth 30 automjete të shërbimeve të urgjencës, përfshirë makina policie, ambulanca dhe mjete zjarrfikëse, ishin pozicionuar në fshatin Fairford, pranë bazës. "Aktualisht po evakuohen disa prona në zonën e Ëhelford-it pas shpalljes së një incidenti madhor. Kjo pason arrestimin e disa burrave nën dyshimin për shkelje të Ligjit për Lëndët Plasëse," tha policia e Gloucestershire në një deklaratë, duke iu referuar një fshati pranë bazës ajrore. "Ekipi i specializuar i ushtrisë për asgjësimin e mjeteve shpërthyese po kontrollon aktualisht disa automjete." Një zëdhënës i Forcave Ajrore të SHBA-së tha se ata nuk do të diskutonin masa specifike për arsye sigurie.