E diel, 27 Shtator 2026 Zilia deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Sociale

Qyteti Studenti, konvikte me dy pamje! Një pjesë e godinave, ende me kushte jo të përshtatshme për të rinjtë

Kjo është godina numër 2, një prej ndërtesave të vjetra në Qytetin Studenti. Pamjet tregojnë ambiente të amortizuara, me tualete dhe dushe të përbashkëta.

Ndërsa kjo është një prej godinave të rikonstruktuara, me kuzhinë, sallë studimi dhe tualetë të ndara.  Dy godina që do të presin studentë edhe këtë vit akademik, por që ofrojnë dy realitete të ndryshme akomodimi.

Sipas drejtorit Olsi Shahini, pjesa më e madhe e objekteve është rikonstruktuar, ndërsa 14 godinat e mbetura do t’i nënshtrohen një rikonstruksioni të plotë. Projekti parashikon edhe ndërtimin nga e para të dy godinave të reja.

“Në total janë 35 godina aktive për të mirëpritur studentët për vitin e ri akademik.  Gjatë vitit 2026–2027 do të jemi në procesin e rikonstruksionit të të gjitha godinave të vjetra. Këtu do të marrë jetë edhe Kampusi Universitar i Tiranës. Do të përmbyllet cikli i rikonstruksionit të godinave, si dhe do të ndërtohen dy godina të reja nga e para”, tha Olsi Shahini, drejtor i Rezidencës Studentore Universitare nr.1.

Dy prej godinave nuk do të jenë të hapura për akomodimin e studentëve gjatë këtij viti akademik.

“Disa nga godinat të cilat janë jashtë kushteve bashkëkohore, jashtë kushteve të përshtatshme teknike apo operacionale për tu paraqitur ne i kemi të mbyllura, kështu që dy nga godinat e qs janë të mbyllura për shkak të këtyre kushteve”, shtoi Shahini.

Edhe tarifat ndryshojnë në varësi të kushteve që ofron secila godinë. Pagesa mujore është 4500 lekë në godinat e vjetra, ndërsa në ato të rikonstruktuara nga 5500 deri në 6500 lekë. Regjistrimet për një vend në konviktet e Qytetit Studenti do të vijojnë të jenë të hapura.

Kapaciteti i përgjithshëm është rreth 7 mijë studentë, të cilët do të qëndrojnë si në godinat e reja, ashtu edhe në ato që ende presin t’i nënshtrohen rikonstruksionit.

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.