Autoritetet e Maqedonisë së Veriut po mbajnë Azgan Haklajn, ish-deputet të Parlamentit të Shqipërisë, në pikën kufitare të Bllatës, në Dibër.
Të lidhura
None found
Gazeta KOHA ka siguruar informacione sipas të cilave emri i Haklajt është përfshirë në të ashtuquajturën “Stop-listë”, një masë që autoritetet zakonisht e arsyetojnë me çështje të sigurisë publike ose kombëtare.
Deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga institucionet kompetente të Maqedonisë së Veriut për arsyen konkrete të këtij ndalimi dhe për sa kohë do të zgjasë procedura.
Haklaj po udhëtonte i shoqëruar nga gazetari i njohur shqiptar Ferdinand Samarxhiu, i cili ndodhet gjithashtu në vendkalimin kufitar. Ata ishin nisur drejt Shkupit, ku gjatë ditës së sotme do të mbahet Marshi Protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së.
Azgan Haklaj është ish-deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe një figurë e njohur e jetës politike, kulturore e kombëtare shqiptare. Ai vjen nga Tropoja dhe prej vitesh është angazhuar në promovimin e historisë, traditave dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Haklaj njihet edhe si drejtues i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar dhe është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Gjatë veprimtarisë së tij publike, ai është dalluar për qëndrimet në mbështetje të çështjes kombëtare, luftës çlirimtare të Kosovës, UÇK-së në Maqedoni dhe figurave historike që kontribuuan për lirinë dhe bashkimin shpirtëror të shqiptarëve.
