Njëri për trafik droge, tjetri për falsifikim parash, kapen dy persona në Tiranë dhe Rinas (EMRAT)

Aktualitet

rinas-600x332.webp

Në vijim të bashkëpunimit operacional dhe informativ me homologët, të koordinuar nga Drejtoria e Interpolit, me qëllim lokalizimin, ndalimin dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, në Tiranë dhe në Rinas u ndaluan 2 shtetas:

-Specialistët e Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar, në Departamentin për Policinë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Tiranë, kapën dhe arrestuan, me qëllim ekstradimi në Itali, shtetasin Ervin Dakoli 47 vjeç, lindur në Kavajë. Gjykata e Bolonjës, në muajin maj 2026, ka lëshuar urdhër arresti për pjesëmarrje në bashkëpunim kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

Ky shtetas akuzohet se, gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka organizuar dhe ka kryer blerjen, transportimin, importimin, magazinimin paraprak dhe mbajtjen e sasive të mëdha të lëndëve narkotike (marijuanë, hashash dhe kokainë), të trafikuara në Itali, me qëllim shitjen.

-U arrestua në Rinas, me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasi kosovar Hamdi Krasniqi 38 vjeç. Gjykata e Apelit e Pejës, në vitin 2022, e ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, për falsifikim të kartëmonedhave.

Shtetasi H. K., në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka tentuar të hedhë në treg, në Pejë, rreth 15 000 dollarë falsë, gjatë vitit 2021.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët në Romë dhe në Kosovë, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve.

ME TE LEXUARAT