Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka refuzuar pjesëmarrjen në tryezën e thirrur nga kryeministri Edi Rama për diskutimin e skemës së re të pagave të magjistratëve, duke argumentuar se çështja është tashmë në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
Në përgjigjen dërguar kryeministrisë më 26 shtator, Sadushi rikujton se pas ftesës së parë të Ramës, më 18 shtator, ka ndodhur një zhvillim i ri institucional: ligji i ri për pagat është dërguar për kontroll në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë arsye, sipas tij, diskutimi për të njëjtën çështje në një tryezë politike dhe institucionale do të ishte i pavend përpara se të shprehet GJK.
“Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, shkruan Sadushi.
Kreu i Gjykatës së Lartë thekson se pjesëmarrja në një tryezë me të njëjtin objekt, në këtë moment, do të nënkuptonte vetëm përsëritjen e qëndrimeve të bëra tashmë publike. Megjithatë, ai sqaron se ky qëndrim nuk nënkupton mbylljen e dialogut institucional me ekzekutivin apo pushtetet e tjera.
Sadushi propozon që një tryezë e ardhshme të ketë një objekt më të gjerë dhe të fokusohet te funksionimi dhe konsolidimi i sistemit të drejtësisë, si dhe te problemet që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe kohën e dhënies së drejtësisë.
“Besoj te dialogu ndërmjet pushteteve dhe mbetem i hapur ndaj tij”, shkruan ai, duke shtuar se një dialog i tillë është i nevojshëm dhe, sipas tij, tashmë i vonuar. Ai shprehet i gatshëm që një tryezë e tillë të zhvillohet sa më shpejt, “me qytetarin në qendër”.
Ftesa e Ramës lidhej me diskutimin për një formulë të re të pagave të magjistratëve. Deri në momentin e përgjigjes së Sadushit, ftesës i ishte përgjigjur pozitivisht kreu i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi.
Debati për pagat është përshkallëzuar pas vendimeve dhe qëndrimeve të ndryshme të institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit. KLGJ dhe KLP kishin miratuar vendime për nivelin e pagave të muajit gusht, ndërsa Ministria e Financave nuk kishte miratuar veprimet e Thesarit për kalimin e tyre sipas këtyre vendimeve.
Magjistratët iu drejtuan më pas SPAK-ut dhe gjykatës administrative, e cila urdhëroi anulimin e vendimit të ministrit dhe kalimin e pagave për gjykatat dhe prokuroritë në të gjithë vendin.
Ndërkohë, më 18 shtator, Kuvendi miratoi me 84 vota pro formulën e re të pagave, sipas së cilës paga referuese e magjistratëve përcaktohet në masën 38% të pagës së Presidentit të Republikës, nga 36% që ishte më parë. Kjo solli një rritje prej rreth 8500 lekësh në pagën referuese.
Tre ditë më vonë, më 21 shtator, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për pezullimin dhe shfuqizimin e formulës së re të miratuar nga Kuvendi.

