Edhe pse është i rrethuar nga burime të shumta ujore, Elbasani vijon të përballet me probleme sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm.
Dy vite pas nisjes së investimit prej 13.8 milionë eurosh për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit, qyteti ende nuk furnizohet me ujë 24 orë. Kjo, edhe pse afatet e parashikuara për përfundimin e punimeve kanë kaluar.
Në këto kushte, kostoja e vonesave rëndon mbi qytetarët dhe bizneset, ndërsa depozitat vijojnë të mbeten një nga zgjidhjet e përdorura për mungesën e furnizimit të rregullt me ujë.
Qytetarët shprehen se nuk mund ta konsumojnë ujin e çezmave për shkak të sasisë së lartë të klorit në ujin me të cilin furnizohen. Për këtë arsye, një pjesë e tyre detyrohen të mbushin ujë në burimet përreth qytetit, ndërsa të tjerë zgjedhin ta blejnë.
Sipas burimeve, edhe pse afatet e projektit kanë përfunduar, punimet dhe testimet e rrjetit vijojnë ende. Për këtë arsye, rrjeti i ri nuk është vënë ende në funksion të plotë.
Një tjetër problematikë lidhet me infrastrukturën e dëmtuar gjatë zbatimit të projektit. Në disa prej segmenteve ku është ndërhyrë, rrugët dhe infrastruktura nuk janë rikthyer në gjendjen fillestare, pavarësisht punimeve për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit.
© SYRI.net