Austri-Kosovë sot në orën 18:00 do të jetë duel shumë i rëndësishëm për ‘dardanët’, që pritet të përcaktojë edhe kreun e grupit në Ligën e Kombeve. Si Austria ashtu edhe Kosova fituan ndeshjet e para ndaj kundërshtarëve respektivë, ndërsa sot favorit janë vendasit, teksa këtë e tregon qartë renditja e FIFA-s. Austriakët renditen të 23-ët, ndërsa dardanët të 77-ët në botë. Arma e fortë e Kosovës është trajneri Foda, që për 5 vite, deri në 2022 ka drejtuar kombëtaren e Austrisë.

“Austria është një skuadër shumë e fortë. Luajnë futboll me intensitet të lartë, ushtrojnë presion në zonat e para të fushës dhe janë shumë të organizuar. Kanë cilësi individuale dhe janë mjaft të organizuar në mbrojtje. Do të jetë një ndeshje e vështirë për ne, por Kosova do të zbatojë idetë dhe parimet e saj në fushë,”-u shpreh Franco Foda, trajner i Kosovës.

‘Dardanët’ duan ta shfrytëzojnë Ligën e Kombeve për të prerë një biletë në Evropian. Mërgim Vojvoda thotë se Kosova i është afruar shumë këtij objektivi, por tani ka ardhur momenti për ta finalizuar.

“Shpresoj që me Ligën e Kombeve të kemi një shans më shumë për ‘play-off-et’. Dihet që Austria është favorite dhe ka më shumë eksperiencë, por ne kemi shanset tona dhe e kemi nisur me fitore kundër Irlandës. Besoj shumë që kemi patur edhe shumë tifozë shqiptarë si në Suedi dhe Zvicër. Do ndihemi si në shëpi,”-tha Mërgim Vojvoda, futbollist i Kosovës.

Dy rivalët nuk janë ndeshur kurrë në të kaluarën, ndërsa sot dueli luhet në Vienë në stadiumin me kapacitet mbi 50 mijë tifozë.