Rreth 91 kilogramë kanabis janë sekuestruar në pikën kufitare të Kakavijës, ndërsa në pranga kanë përfunduar një çift bashkëshortësh, të dy banues në Tiranë. Operacioni është koduar “Risku 1” dhe u finalizua pas kontrolleve të shtuara në dalje të vendit. Bëhet fjalë për 28-vjeçarin Klejdi Agalliu dhe bashkëshorten e tij, 25-vjeçaren Bukurije Agalliu, të cilët po udhëtonin me një furgon në drejtim të Greqisë. Furgoni ka kaluar fillimisht për kontroll në skaner, ndërsa më pas është kaluar në vijën e dytë për një kontroll më të imtësishëm. Gjatë kontrollit, policia ka zbuluar rreth 88 pako me lëndë të dyshuar narkotike, të fshehura në vende të krijuara posaçërisht në dyshemenë e mjetit. Në total, në furgon u gjetën rreth 91 kilogramë kanabis, ndërsa automjeti u sekuestrua si provë materiale. Dy bashkëshortët u arrestuan në flagrancë dhe ndaj tyre rëndon akuza për trafikim të lëndëve narkotike.