Operacioni “Shkolla të Pastra”/ Detaje të reja si u kamufluan 13 agjentë si nxënës shkolle

Aktualitet

-900-0-1790503513x900-0-1790500786xscreenshot-11-926-311.jpg

Detaje të reja janë bërë publike nga operacioni “Shkolla të Pastra”, i zhvilluar nga Policia e Tiranës kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave.

Sipas të dhënave të publikuara, 13 agjentë të policisë u infiltruan në disa shkolla të kryeqytetit, duke u kamufluar si nxënës dhe blerës të lëndëve narkotike. Operacioni përfshiu shkolla si “Besnik Sykja”, “Ismail Qemali”, “Qemal Stafa”, “Sami Frashëri”, “Aleks Buda”, “Ibrahim Rugova”, “Gramoz Palushi”, “Harry Fultz”, “Bajram Curri” dhe “Gjon Buzuku”.

Agjentët dyshohet se kryen 78 blerje të kontrolluara, duke siguruar prova për shpërndarjen e kokainës, heroinës dhe kanabisit. Për dokumentimin e aktivitetit u përdorën edhe kamera të vendosura në trup dhe dronë.

Gjatë hetimeve, sipas të dhënave të bëra publike, u identifikuan 52 persona, prej të cilëve 7 dyshohet se kishin rolin e furnizuesve, ndërsa 45 të tjerë atë të shpërndarësve dhe shitësve.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar 38 persona dhe janë shpallur në kërkim 14 të tjerë.

Policia ka sekuestruar rreth 1.075 kg heroinë, 1.265 kg kokainë dhe 685 gramë kanabis, si dhe një armë zjarri, municione, peshore elektronike, materiale për paketimin e drogës, 12 automjete dhe 35 telefona.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit të grupeve dhe rolit të personave të përfshirë.

ME TE LEXUARAT