“Fiks Fare” gati për sezonin e ri/ Provat e fundit në studion e re, Olta Gixhari dhe Dorian Ramaliu gati për premierën më 28 shtator

27/09/2026 12:53

Pak ditë para rikthimit në ekran, në studion e re të “Fiks Fare” gjithçka është në lëvizje. Ekipi po zhvillon provat e fundit përpara premierës së sezonit të ri, duke kontrolluar çdo detaj që do të shfaqet në ekran.

Kamerat janë në pozicion, ndriçimi po testohet dhe moderatorët po bëjnë provat e skenarit dhe të lëvizjeve në studio. Olta Gixhari dhe Dorian Ramaliu janë në qendër të përgatitjeve, duke marrë kontaktin e parë me hapësirën e re dhe duke provuar ritmin e emisionit.

Në studio punohet për çdo element të transmetimit, nga pozicionimi përpara kamerave, te koordinimi me regjjinë dhe momentet e hyrje-daljeve gjatë programit. Provat shërbejnë për të përshtatur detajet e fundit dhe për të siguruar që gjithçka të funksionojë në mënyrë sa më të natyrshme gjatë transmetimit.

Mes provave, përsëritjeve dhe udhëzimeve nga regjia, atmosfera është ajo e një premiere që po afron. Një studio e re po bëhet gati të presë sezonin e ri të “Fiks Fare”, ndërsa dy moderatorët po përgatiten për daljen e parë përballë publikut.

Emisioni ikonë i Top Channel nis të hënën, më 28 shtator.

Top Channel