Menjëherë pasi u kthye nga vizita në SHBA, kryeministri Edi Rama u distancua totalisht nga çështja që ish-drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, ka tashmë me drejtësinë, e akuzuar se ndihmoi biznesmenin Ergys Agasi gjatë arratisë. Rama e quajti “ekstreme” masën e arrestit në shtëpi ndaj saj, por e bëri të qartë se çështja duhet të hetohet deri në fund dhe se Hyseni do të përballet e vetme me drejtësinë.
Në mesazhin drejtuar shqiptarëve nga Rinasi, Rama u ndal jo pak te SPAK, duke adresuar kritika për faktin se një institucion i rëndësishëm si SHISH-i, sipas tij, u ekspozua ndaj një dëmi të madh që duhej të ishte parandaluar.
"Sapo jam kthyer nga New York ku siç e dini përfaqësova Shqipërinë në OKB. Vendosa të drejtohem menjëherë nga aeroporti ‘Nënë Tereza’. Zhvillimet e fundit, pas vendosjes së masës të arrestit shtëpie për ish-drejtuesen e SHISH, kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë. Ishte pa diskutim një masë ekstreme po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç. Unë s’kam të drejtën të ndërhyj në përmbajtjen e dosjes dhe çfarë e ka çuar gjykatën ta bëjë. S’e kam bërë më parë dhe as nuk do ta bëj. Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë duhet të rrëzohet ose të provohet përmes një procesi të paanshëm", tha Rama.
Opozitës i bëri të qartë se nuk ka ndërmend të dorëhiqet, duke theksuar se ishte ai që mbështeti dhe udhëhoqi reformën në drejtësi.
Lajmi në përditësim....

Kryeministri Edi Rama ia bëri të qartë opozitës që s’ka dorëheqje. Përmes mesazhit për çështjen e Vlora Hysenit, Rama tha se asgjë nuk do ta ndalë dhe se Shqipëria nuk kthehet më pas.
“Korrupsioni sot po përballet me një tjetër sistem, ku po zhvillohen organe që hetojnë dhe në liri dhe pavarësi të plotë. Deri dje korrupsion ishte sistemi, sot sistemi po lufton korrupsionin, ky është ndryshimi epokal. Vetëpastrimi i sistemit është zhvillim i shumëpritur organizimin e shtetit, pas një agonie të gjatë sa historia e shtetit shqiptar.
Pas një agonie të gjatë sa historia e shtetit shqiptar, organizmi i shtetit po fiton imunitet nga sëmundjet e vjetra dhe, kur kjo fazë e zhurmshme, e pistë dhe e dhimbshme të ketë kaluar, kur emrat, sekretet, jargët, shkrofëtimat dhe piskamat e tezgave mediatike të jenë fashitur, kur tymi i pasqyrave dixhitale të jetë shpërndarë dhe pluhurat e kantierit të Reformës në Drejtësi të jenë tretur, atëherë të gjithë do ta shohin se këto zhvillime janë pjesë jetike e ndryshimit rrënjësor pa kthim ku po ecën sot Shqipëria.
Sot unë jam kthyer në Shqipëri, por Shqipëria nuk kthehet pas.
Askush dhe asgjë nuk do ta ndalë, nuk do të na ndalë, nuk do të më ndalin”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama në një mesazh drejtuar shqiptarëve nga salla e shtypit në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, tha se me paratë e fabrikës së vdekjes në Gërdec u financua ngritja e një lavatriçeje mediatike që kurdis ato 'bombat çudibërëse' anti-qeveri.
“E di gjithashtu, e di që çke me të , që me paratë e fabrikës së vdekjes në Gërdec u financua nga fajtorët e pahetuar ende gjermësot, ngritja e një lavatriçeje mediatike që kurdis sot e gjithë ditën ato 'bombat çudibërëse' anti-qeveri, 'Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni'.
E di edhe që një tjetër televizion “Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, i ushqyer nga paratë e evazionit marramendës fiskal, ka marrë peng një prokurori të tërë në Tiranë, ku në vend se të thirret evazori i madh për të dhënë llogari për milionat e detyrimeve ndaj shtetit, prokurorët e trembur dhe të tredhur prej tij, hapin çështje për të trembur punonjësit e tatimeve që denoncojnë evazorin”, tha Rama.

Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund në mënyrë të pakthyeshme, u shpreh kryeministri Rama. ai tha se reforma e drejtësisë, merita e së cilës i takon vetëm atij dhe PS, ishte dorëzim i shpatës së drejtësisë te pushteti i gjyqësorit.
Sistemi po shfaq aftësi vetëpastrimi, vijoi Rama dhe ky është suksesi më i madh.
“Koha kur në këtë vend drejtësia ishte një derë e mbyllur sa herë trokiste e drejta dhe e hapur kur e keqja donte të ulej këmbëkryq për Pazar, nuk vjen më. Nuk kthehet më koha kur pushteti politik dhe pandëshkueshmëria ishin e njëjta gjë. Ka ikur ajo kohë sepse unë dhe PS i hymë detit me këmbë dhe morëm përsipër reformën më të thellë dhe të dhimbshme, aktin e dorëzimit të shpatës së drejtësisë nga duart e pushtetit politik në duart e drejtësisë të çliruar dhe të pavarësuar. E bëra unë, jo se isha naiv, as se nuk e dija që do të kërkonte koka, por sepse ishte imja, jona barra e asaj sakrifice të madhe politike. Sot, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar është vetë sistemi që po shfaq aftësi vetëpastrimi që s’i ka pasur kurrë. Kjo është arritje e madhe, autopsinë e së cilës nuk e negocioj me askënd. Pavarësia e drejtësisë nuk ra nga qielli, nuk e solli as koha, as SHBA dhe as Europa. Ata ndihmuan, por pa ne do të kishin bërë një Noc Rrok. Nuk e solli pavarësinë e drejtësisë sorrat e korbat që bërtasin “korrupsion” dhe shikojnë SPAK-un si armë kundër meje, që i kam mundur dhe i mund në çdo zgjedhje sa herë u bie mendja se më zunë ngushtë dhe më bënë gropën. Nuk është mundja e tyre ajo që më prish gjumin dhe as fryrja e pulëkakarisja e tyre. Kjo lidhet me çfarë po ndodh, me korrupsionin dhe drejtësinë”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se fundi i pandëshkueshmërisë është ndryshimi historik që po ndodh, deklaratë që vjen pas arrestit të ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit. Ai shtoi se arsyeja e ekzistencës së organeve të drejtësisë është pamundësia e drejtuesit të një vendi për të mos ditur një sërë informacionesh për vartësit e tij.
Në këtë linjë, Rama shprehu mbështetje të vazhdueshme për organet e drejtësisë së re.
“Unë premtova Rilindjen dhe një qeverisje ku askush nuk do të shkelte në dërrasë të kalbur dhe as një administratë shembullore. Unë u zotova për çlirimin e drejtësisë dhe fundin e pandëshkueshmërisë për njerëzit e pushtetshëm. Ky është ndryshimi historik që po ndodh. Pyetja me vend s’është si ka mundësi të mos e dijë kryeministri kur vartësi shkel ligjin, por si mund ta dijë? Kryeministri nuk e ka të mundur të parashikojë sjelljen e një individi, as të lejuar të përgjojë bashkëpunëtorët dhe as e ka të mundur të lexojë mendjen e dikujt kur ajo kurdiset për të punuar së prapthi. Prandaj demokracitë kanë organe drejtësie, prandaj e kam kërkuar reformën në drejtësi dhe e mbështes drejtësinë e re, përtej lajthitjeve”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama i quajti “pisanjosë me kostum parlamentar” opozitarët që e kanë akuzuar se ka marrë një orë të shtrenjtë dhuratë nga krimi i organizuar. Ai tha se të gjitha dhuratat që ka marrë si kryeministër janë regjistruar si pronë e shtetit shqiptar.
“Kush ka përfituar të drejta kushtetuese të zhvillimit të pronës apo mundësi të ligjshme investimi, e di shumë mirë çfarë flas, e di shumë mirë çfarë them kur them se pushteti im nuk është përdorur për të dhënë favore të errëta. Sot në Kryeministri ka një muze të dhuratave. Atyre pisanjosëve me kostum parlamentar, të cilët kanë nxjerrë edhe një orë super të shtrenjtë që paskam marrë dhuratë nga krimi i organizuar, u them se në atë muze ka një duzinë orësh të shtrenjta dhe super të shtrenjta, të cilat më janë dhuruar mua nga miq të fuqishëm apo vizitorë të huaj. Ndryshe nga paraardhësi im, që i ka përlarë të tëra bashkë, unë i kam regjistruar të gjitha dhuratat për Kryeministrin si prona të shtetit shqiptar. Sepse çfarë vjen për mua si Kryeministër dhe çfarë më takon ta kem si Kryeministër, nuk vjen për ta çuar në shtëpinë time.”

Në adresimin e tij drejtuar të gjithë shqiptarëve, kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave se arrestimet dhe procedimet e zyrtarëve të lartë dëshmojnë se vendi është “mbytur nga korrupsioni”. Rama argumentoi se ndodh pikërisht e kundërta: sipas tij, fakti që drejtësia prek ministra, drejtorë dhe kryetarë bashkish tregon se ajo vepron e pavarur nga pushteti politik.
Kryeministri tha se synimi i tij është një Shqipëri anëtare e Bashkimit Europian brenda kësaj dekade dhe me “drejtësi të pavarur” prej tij, ndërsa përballë akuzave të opozitës solli si kundërshembuj 21 Janarin dhe Gërdecin, duke treguar e në të kaluarën drejtësia pengohej nga pushteti.
" E pikërisht për historinë, për emrin, për Shqipërinë, unë e dua këtë vend me kokën lart, me flamurin sa më lart, të barabartë mes të barabartësh, në tryezat më të larta. E dua në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, me shtet ligjor e me drejtësi të pavarur prej meje dhe prej çdo qeverie e kryeministri pas meje. Prandaj sot, kur më ka ndalur në këtë sallë, me të zbritur pikërisht tema e drejtësisë dhe kur të gjithë kundërshtarët e mi, që nga ata të përdalët e rrugëve opozitare e deri te dështakzemërakët e ish-rrugëve qeveritare, kujtojnë se kanë shpikur “bombën çudibërëse” që do hedhë përtokë Ramën, “Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, dua të jem shumë i qartë me ju të gjithë:
Le ta hedhin atë bombë mëngjes, drekë dhe darkë në ekranet televizive e le ta shpërthejnë orë e çast në pasqyrat sociale, a thua se përsëritja si në jerm e një fjale të ndyrë me zë të lartë, do të mund ta zhbëjë pastërtinë e luftës sime të gjithanshme, e cila duan s’duan ata që s’duan, i riktheu këtij vendi kryeqytetin e varrosur nën plehra dhe prej një dekade po transformon Shqipërinë dhe ringre shtetin shqiptar.
Dhe sado ta përsërisin, “Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, e vërteta eshtë se në asnjë vend të mbytur në korrupsion, nuk ka luftë frontale kundër korrupsionit. Ka vetëm bashkëjetesë harmonike me korrupsionin.
Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, prokuroria nuk heton njerëzit e veshur me pushtet. I mbron ata. Në asnjë vend të mbytur në korrupsion, drejtësia nuk prek ministra, ish ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë apo njerëz të lidhur me shumicën qeverisëse, po vetëm rri dhe pret urdhrin e pushtetit për të goditur kundërshtarët e tij.
Vendin e mbytur në korrupsion dhe padrejtësi e kemi jetuar të gjithë. E kemi jetuar të gjithë, vendin ku kryetari i opozitës burgosej me urdhër politik nga lart.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku protestuesit vriteshin me plumbat e paguar nga taksapaguesit për të mbrojtur atdheun, jo për të marrë jetën e shoshoqit.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku fletë-thirrjet e prokurorisë për përgjegjësit për vrasjet shtetërore, bëheshin letra higjenike për zyrën e kryeministrit, i cili e denigronte publikisht prokuroren e përgjithshme si lavire bulevardi, vetëm e vetëm pse ajo tentonte të bënte sadopak punën e vet.
E kemi jetuar të gjithë, vendin ku drejtori i taksave të republikës qëndronte në krye të detyrës nga arresti shtëpiak dhe ku 26 të vrarë të pafajshëm në shpërthimin e një projekti korruptiv të ministrisë së mbrojtjes, u trajtuan si 26 viktima të një fatkeqësie natyrore.
E di që edhe sot e gjithë ditën ata katër të vrarë në bulevard nuk kanë marrë ende drejtësi." tha Rama
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj me ironi akuzave të opozitës pas arrestit të ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, duke thënë se sipas kësaj logjike “kryefajtori i çdo rasti” është ai.
“Si mund të them prapë e prapë se ‘mi hëngrën dardhat pas shpine’? Sipas kësaj, kryefajtori i çdo rasti jam unë.
Unë që e desha reformën në drejtësi, kur askush nuk e besonte. Që e udhëhoqa kur askush nuk e donte dhe që e mbroj si asnjë tjetër.
Një kryeministër nuk gjykohet dot me pretendimin absurd që asnjë njeri i lidhur me të nuk do ta shkelë kurrë ligjin, se përndryshe shkelësi është ai vetë.
Kryeministri dhe qeveria gjykohen nga qëndrimi që mbajnë kur hapet llogari me drejtësinë për dikë mes tyre apo pranë tyre. A e justifikojnë, a e mbrojnë, a i kundërvihen drejtësisë, apo e lënë drejtësinë të bëjë punën e saj?”
Kryeministri Edi Rama tha se nuk do të pranohet linçimi publik i personave nën hetim, duke ngritur shqetësimin për rrjedhjen e sekretit hetimor në media.
“Askush nuk mund të pretendojë që sekretin hetimor ta ruajnë mediat. Problemi nuk nis te zëdhënësit informalë të oborrit të drejtësisë nëpër ekrane. Ata përdoren nga prokurorët dhe gjykatësit për t’i shpallur njerëzit fajtorë pa nisur gjyqi, njësoj si në një diktaturë, ku pasi mbarojnë punë mjetet e propagandës, gjyqi mbetet formalitet. Ky problem, që nis te paligjshmëria e ligjëruar brenda oborrit të drejtësisë, ku sekreti hetimor shpërdorohet për të linçuar, nuk mund të anashkalohet.”
Kryeministri Rama tha se mund të ketë kryer shumë gabime gjatë viteve të tij në politikë, por askush nuk e akuzon dot se ka vepruar kundër interesit të Shqipërisë. Rama u shpreh se mund të thonë shumë gjëra, por nuk ka asnjë provë të një firme të tij qoftë si kryebashkiak, qoftë si kryeministër.
“E them sinqerisht, duhet të kem fajet e mia, por në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk më bën dot askush me faj që në 28 vjet e 4 muaj në shërbim publik të kem prekur paratë, pronat dhe interesat e shqiptarëve. Patjetër që mund të dalin plot dhe të flasin në emrin tim, të thonë se pas një bëme korruptive jam unë, të tregojnë përralla me arkitektët e botës mbledhur rreth meje për të pastruar paratë e kullave të mia, se oligarkët e Shqipërisë i fitojnë lekët me mua, u shes toka Shqipërie dhe fluturojnë me avionë privatë. Të tëra! Të tëra dhe shumë më shumë se këto i kanë thënë përsëri e mund t’i thonë bashkë me të tjera të reja që do t’u pjellë mendja e fantaksur, por një provë që një bir nënë të ketë hedhur në xhepin tim, në këmbim të një firme të vetme të hedhur nga unë si nga kryebashkiak apo kryeministër, s’e nxjerr dot, se nuk ka lindur akoma ai lloj fenomeni”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj thirrjeve të opozitës që të hspjegojë si u emërua Vlora Hyseni në krye të SHISH.
“Orvatjet për ta shpjeguar emrërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH-it me lloj-lloj fantazish konspirative s’kanë lidhje me të vërtetën. E vërteta është e thjeshtë. Ka nisur të punojë pranë meje në rolin e këshilltares. Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si edhe bazuar në referenca të shkëlqyera të marra nga shërbime partnere, ajo është emëruar drejtuese e SHISH-it.
As nuk vihet sot në diskutim se ish-drejtuesja e SHISH-it ka hapur një llogari të vështirë me drejtësinë, veçse ka hyrë në një borxh të madh moral në këtë vend.
Por, po ashtu, as nuk diskutohet që ky vend nuk bëhet kurrsesi më i drejtë kur njerëzit e sotëm nën hetim nga prokuroria linçohen në tezgat mediatike, as kjo shoqëri nuk bëhet kurrsesi më e mirë kur i fryn zjarrit të atyre turrave”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave se hetimet dhe procedimet ndaj zyrtarëve të lartë janë dëshmi se vendi është “mbytur nga korrupsioni”. Sipas tij, fakti që drejtësia prek ministra, zyrtarë dhe njerëz të lidhur me pushtetin provon të kundërtën: se korrupsioni po goditet dhe se organet e drejtësisë veprojnë në mënyrë të pavarur.
"Por tani kam ende për të thënë mbi kuptimin politik të këtij zhvillimi, pasi edhe këtë herë, u ngrit në kupë të qiellit një aktakuzë e përgjithshme, kundër qeverisë dhe sigurisht, edhe kundër meje personalisht, me refrenin e shfrenuar, “Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni”... Të dashur zgjedhës e zgjedhëse, pavarësisht bindjeve e kahjes së votës, Fakti që drejtësia prek edhe njerëz me funksione të larta, edhe anëtarë të qeverisë a bashkëpunëtorë të saj, nuk provon kurrësesi se na mbyti korrupsioni apo se korrupsioni po rritet. Përkundrazi. Fakti se në episodet e këtij kapitulli të ri, të dobishëm e të shëndetshëm për Shqipërinë, hetimet e pavarura u hapin llogari me drejtësinë individëve të veshur me pushtet apo të lidhur me pushtetin, nuk provon assesi që shumica qeverisëse është e korruptuar.Përkundrazi.
Ky fakt, këto episode, kjo histori e re drejtësie në Shqipëri, ku, kurrë më parë, s’ka pasur asnjë lloj drejtësie të pavarur, sepse s’ka pasur kurrë më parë një udhëheqje politike të interesuar për t’i dhënë pavarësi drejtësisë dhe as ka pasur një forcë politike të gatshme për të mbështetur një drejtësi të pavarur, duke i marrë përsipër kostot e saj mbi lëkurën e vet, provojnë krejt, po krejt të kundërtën e avazit, “Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni”...
Ato provojnë se korrupsioni nuk po rritet, por po goditet. Ato provojnë se shumica qeverisëse nuk është e korruptuar, po është e palëkundur në mbështetjen e organeve të pavarura të luftës kundër korrupsionit, edhe dhe mbi të gjitha brenda radhëve të saj. Ato provojnë se ne jemi të angazhuar deri në fund, qoftë për reformat e masat e mëtejshme anti-korrupsion nga ana e qeverisë, qoftë për përballimin e kostove politike që sjell angazhimi anti-korrupsion i organeve të pavarura të drejtësisë" tha Rama
Arresti i ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit dhe hetimi i saj nga SPAK, janë një çështje individuale e saj me drejtësinë, tha kryeministri Rama. Ai bëri të qartë se drejtësia e mediat duhet të kryejnë detyrat e tyre respektive me hetimin apo informimin, por jo të bëjnë dikë fajtor.
“Drejtësia nuk mund ta luftojë paligjshmërinë në oborrin e sipërmarrjes apo krimit pa adresuar paligjshmërinë në oborrin e vet. Pavarësia e drejtësisë smund të shfaqet si shkëputje nga Kushtetuta dhe shpërfillje. Prokuroria ka të drejtën dhe detyrën të hetojë, gjykata të gjykojë, media të zbulojë dhe informojë, por askush s’ka të drejtë ta shpallë tjetrin fajtor dhe ta dehumanizojë. Shteti ligjor ndërtohet me kurajën për të hetuar të fuqishmin dhe sigurinë për të mbrojtur të drejtat e njeriut që heton. Për sa më takon, kur një zyrtar i lartë i ka hapur vetes një llogari me drejtësinë, edhe kjo e ish-drejtueses së SISH, është një çështje individuale mes saj dhe organeve të drejtësisë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar”, tha Rama.
Në adresimin e tij nga Rinasi për arrestin ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit, Rama u shpreh se hetimi dhe gjykimi i saj janë detyra të drejtësisë, por mbrojtja e institucioneve, është detyrë e shtetit. Këtë të fundit pret ta shohë në Këshillin e Sigurisë që mblidhet nesër në 08:30.
“Nuk është hera e parë në historinë e botës që shefi i një shërbimi sekret merret i padehrur, por e para që institucioni i shërbimit sekret bëhet target kombëtar dhe ndërkombëtar thashethemesh mediatike për shkak të mosmarrjes së atyre masave që shtetet marrin. Hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë. Mbrojtja e SHISH dhe jo vetëm, nga çdo dëm i panevojshëm kolateral, është detyrë e gjithë shtetit. Ndarja e pushteteve nuk mund të shfaqet si ndarje nga mbikëqyrja shtetërore. Ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht. Besoj se Këshilli i Sigurisë i thirrur nesër është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë institucionale”, tha kryeministri.
Rama: SHISH u ekspozua ndaj një dëmi të madh që duhej parandaluar! Të dhënat hetimore vërshuan në rrjete sociale
“Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindo qoftë që s’ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetëm në gjykatë dhe jo me opinion e krye as në foltoren e Kryeministrit.
Respekti për pavarësinë e drejtësisë nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj.
Në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që nuk mund të anashkalohet sikur s’ka ndodhur.
Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë u ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, që mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht.
Të dhënat e dosjes hetimore vërshonin nëpër kanale sociale, para se gjykata të urdhëronte kufizimin e publikimit të tyre.”
-
C mund te presesh te thote kreu i organizates? Kreu i SPAK bashke me ate te BKH duhet ta presin…dhe vene byrzylyket!!
Përgjigju











Komente
Komento