Të hënën konferenca ndërparlamentare/ Rama, Peleshi dhe Schieder diskutojnë zgjerimin e BE-së dhe integrimin e Shqipërisë
Të hënën, më 28 shtator, në Tiranë do të zhvillohet Konferenca Ndërparlamentare me temë “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”.
Në aktivitet pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve europiane. Kryeministri Edi Rama do të jetë i pranishëm dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse.
Në fokus të konferencës do të jenë procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian, reformat që lidhen me këtë proces, stabiliteti dhe hapat që Shqipëria duhet të ndërmarrë në rrugën drejt anëtarësimit.
Aktiviteti do të përshëndetet gjithashtu nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, si dhe Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.
Gjatë konferencës do të zhvillohen tre sesione diskutimi. I pari do të fokusohet te agjenda e zgjerimit të BE-së dhe rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit. Sesioni i dytë do të trajtojë zgjerimin si faktor për reformat, stabilitetin dhe sigurinë, ndërsa i treti do të përqendrohet te roli i parlamenteve dhe angazhimi për avancimin e integrimit europian.
Konferenca do të moderohet nga Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, së bashku me përfaqësues të parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse.
Takimi synon të shërbejë si një forum diskutimi për procesin e zgjerimit të BE-së dhe përpjekjet e Shqipërisë në kuadër të integrimit europian.

