Policia Rrugore e Shkodrës ka vendosur 916 gjoba gjatë një jave, pas shtimit të kontrolleve në akset e qarkut. Gjatë kësaj periudhe, dy persona janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 13 të tjerë janë vënë nën hetim për drejtim të parregullt të automjetit.
Nga masat e vendosura, 357 kanë qenë për parkim ose qëndrim të gabuar, ndërsa 172 drejtues janë ndëshkuar për tejkalim të shpejtësisë së lejuar. Gjithashtu, janë vendosur 31 gjoba për parakalime të gabuara, tetë për drejtim nën ndikimin e alkoolit, 19 për mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe 60 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse.
Gjashtë drejtues janë ndëshkuar për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, tetë për mosdhënie përparësie këmbësorëve dhe dy për qarkullim me xhama të errësuar. Ndërkohë, 253 masa të tjera janë vendosur për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.
Policia Rrugore bën me dije se kontrollet do të vijojnë në rrugët urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, me synim parandalimin e aksidenteve dhe evidentimin e shkeljeve. Ajo u bën thirrje drejtuesve të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe qytetarëve të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.

