Atentati në Athinë/ 25 plumba në kafene, zbardhet biseda e fundit e Denis Lulit me kamarierin
Autoritetet greke dyshojnë se sulmi me armë në një kafene në Agios Panteleimonas, ku mbeti i plagosur një fëmijë 10-vjeçar, mund të jetë i lidhur me përplasjen mes grupeve kriminale.
Sipas të dhënave të fundit të hetimit, katër persona kanë mbërritur në lokal me një automjet të vjedhur disa ditë më parë në zonën e Vrilissias. Ata kanë qëlluar rreth 25 herë me kallashnikov dhe më pas janë larguar nga vendngjarja. Automjeti i përdorur për arratisjen u gjet i djegur në Aspropyrgos, ndërsa brenda tij u sekuestrua edhe arma e zjarrit.
Nga të shtënat u plagos në këmbë një vajzë 10-vjeçare, e cila është vajza e partneres së pronarit të lokalit, 30-vjeçarit shqiptar Denis Luli. Fëmija u transportua në spital nga nëna e saj.
Hetuesit e Drejtorisë për Luftën Kundër Krimit të Organizuar po shqyrtojnë mundësinë që sulmi të jetë pjesë e një konflikti mes grupeve rivale, që dyshohet se kanë lidhje me trafikun e drogës. Në hetim po shqyrtohet edhe një lidhje e mundshme me të burgosurin shqiptar Klodian Lekocaj.
Denis Luli është i njohur për autoritetet greke për precedentët e tij penalë. Në vitin 2016, ai u përfshi në një rast që lidhej me një plantacion marijuane në Arta, ku qëlloi ndaj policisë dhe u largua nga vendngjarja. Ai u arrestua rreth dy vite më vonë.
Në vitin 2021, Luli u lirua nga burgu i Malandrinon me masa kufizuese, ndërsa në vitin 2025 emri i tij u përmend sërish në një rast që lidhej me një sasi të vogël droge.
Deri tani, ai nuk ka dhënë informacion për sulmin para autoriteteve. Sipas burimeve të hetimit, Luli dyshohet se kishte paralajmëruar një prej punonjësve të lokalit që, nëse dikush do ta kërkonte, të thoshte se nuk e kishte parë.
Policia greke vijon hetimet për identifikimin e autorëve, si dhe për zbardhjen e motivit dhe lidhjeve të mundshme kriminale pas sulmit.

