Policia e Afrikës së Jugut u vu të dielën në kërkim të autorëve të dy të shtënave të ndara që vranë 27 persona brenda pak orësh, në një kujtesë të zymtë të problemit të vendit me dhunën me armë zjarri. Motivet për të shtënat pranë Johanesburgut dhe Kejptaunit ishin të panjohura, por dhuna e bandave dhe krimi i organizuar mbeten të përhapura në Afrikën e Jugut, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të frenuar një nga normat më të larta të vrasjeve për frymë në botë. Shumë njerëz u mblodhën pas rrethimit të policisë në vendin ku u regjistruan të shtënat në Lëandle, në periferi të Kejptaunit, ku persona të armatosur hapën zjarr në një lokal që shiste mish të pjekur në skarë rreth orës 2:00 të mëngjesit të së dielës, duke vrarë 10 persona dhe duke plagosur 11 të tjerë. Në qytezën Ëedela, rreth 80 km nga Johanesburgu, 17 persona u vranë dhe 15 u plagosën në një tavernë kur persona të armatosur me kallashnikovë hapën zjarr rreth orës 9:30 të mbrëmjes të së shtunës, sipas policisë. Dy automjete të djegura mund të shiheshin jashtë tavernës, ndërsa autoritetet rrethuan zonën.