Në mesazhin drejtuar shqiptarëve, pas arrestit ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni të cilin e quajti një masë ekstreme, kryeministri Edi Rama adresoi jo pak kritika ndaj SPAK. Sipas tij, SHISH u ekspozua ndaj një dëmi të madh që duhej të ishte parandaluar.

“Çdo akuzë e ngritur, ndaj kujtdoqoftë, duhet të provohet ose të rrëzohet përmes një procesi të pavarur, të paanshëm dhe të rregullt gjyqësor. Çdo masë kufizimi e lirisë nga organi i akuzës, për cilindoqoftë që nuk ka imunitet parlamentar, kundërshtohet vetem në gjykatë, jo në podiumin e Kryeministrit, as në foltoret e politikës. Këto piketa të vijës së sjelljes sime e të shumicës qeverisëse ndaj çështjeve individuale të drejtësisë kanë qenë dhe mbeten kështu. Për të gjithë. Por nga ana tjetër, respekti për pavarësinë e drejtësisë, nuk do të thotë heshtje edhe kur një shqetësim parimor shfaqet gjatë veprimtarisë së organeve të saj.  Konkretisht, në këtë rast, përveç dhe përtej çështjes penale individuale, ka një fakt tjetër parimor, shtetëror, që s’mund të anashkalohet sikur nuk ka ndodhur.

Gjatë marrjes së masës dhe administrimit gjyqësor të dosjes, një institucion me ndjeshmëri të veçantë për sigurinë dhe reputacionin e shtetit, u ekspozua. U ekspozua ndaj potencialit të një dëmi të madh, i cili mund dhe duhej të ishte parandaluar plotësisht. U desh, që të dhëna të dosjes hetimore, të vërshonin nëpër kanale sociale e tezga mediatike, përpara se sa gjykata të urdhëronte, si kofini pas të vjelit, kufizimin e publikimit të tyre. Natyrisht pa asnjë sukses”, tha Rama. 


Lajmi kryesor:

Arresti i Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! Ekspozimi i SHISH, dëm i madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet (VIDEO)