Shqipëria do të marrë pjesë në Bits & Pretzels 2026, një prej eventeve të rëndësishme të startup-eve dhe inovacionit në Europë, që do të zhvillohet në Mynih, Gjermani, nga 28 deri më 30 shtator 2026.
Një brez i ri sipërmarrësish shqiptarë po mendon përtej kufijve të një tregu të vogël, me ide më të mëdha dhe me ambicien për të konkurruar ndërkombëtarisht.
Talentet, startup-et e nisin vetë rrugëtimin, por aksesi në njohuri, kapital, rrjete, partneritete dhe tregje ndërkombëtare është mekanizmi që duhet t’i mbështesë ata, drejt rritjes e zhvillimit të mëtejshëm.Ndaj ky partneritet shënon një tjetër hap domethënës për zgjerimin e hartës ndërkombëtare të ekosistemit shqiptar.
Me mbështetjen e Startup Albania dhe EU4Innovation (GIZ), Shqipëria do të prezantohet me 17 startupe shqiptare, të cilët përmes suksesit të iniciativave të tyre individuale, do të përcjellin edhe panoramën e plotë të zhvillimit të ekosistemit të inovacionit në Shqipëri, i cili nga nismat e fragmentuara të disa individëve dhe donatorëve, po formatohet drejt një ekosistemi më të konsoliduar, ku idetë inovative gjejnë programe akselerimi, mentorim dhe mundësi për t’u lidhur me partnerë e investitorë ndërkombëtarë.
Pjesëmarrja në Bits & Pretzels 2026 vjen në vijim të një pranie gjithnjë e më aktive të startup-eve shqiptare në evente të rëndësishme ndërkombëtare të inovacionit, nga “ITB Berlini” te “VivaTech” dhe “Slush”.
Bits & Pretzels Founders Festival, pritet të mbledhë rreth 7,500 themelues, investitorë dhe drejtues të industrisë nga Europa dhe bota.
Për sipërmarrësit nga ekosisteme më të vogla europiane, siç është dhe Shqipëria, që synojnë të ndërkombëtarizohen, evente si Bits & Pretzels kanë një rëndësi që shkon përtej pjesëmarrjes në konferencë që është, krijimi i një platforme konkrete promovimi e bashkëpunimi.
Lini një Përgjigje