Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur akuzave se hetimet dhe procedimet ndaj zyrtarëve të lartë janë dëshmi se vendi është “mbytur nga korrupsioni”. Sipas tij, fakti që drejtësia prek ministra, zyrtarë dhe njerëz të lidhur me pushtetin provon të kundërtën: se korrupsioni po goditet dhe se organet e drejtësisë veprojnë në mënyrë të pavarur.

"Por tani kam ende për të thënë mbi kuptimin politik të këtij zhvillimi, pasi edhe këtë herë, u ngrit në kupë të qiellit një aktakuzë e përgjithshme, kundër qeverisë dhe sigurisht, edhe kundër meje personalisht, me refrenin e shfrenuar, “Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni”... Të dashur zgjedhës e zgjedhëse, pavarësisht bindjeve e kahjes së votës, Fakti që drejtësia prek edhe njerëz me funksione të larta, edhe anëtarë të qeverisë a bashkëpunëtorë të saj, nuk provon kurrësesi se na mbyti korrupsioni apo se korrupsioni po rritet. Përkundrazi. Fakti se në episodet e këtij kapitulli të ri, të dobishëm e të shëndetshëm për Shqipërinë, hetimet e pavarura u hapin llogari me drejtësinë individëve të veshur me pushtet apo të lidhur me pushtetin, nuk provon assesi që shumica qeverisëse është e korruptuar.Përkundrazi.

Ky fakt, këto episode, kjo histori e re drejtësie në Shqipëri, ku, kurrë më parë, s’ka pasur asnjë lloj drejtësie të pavarur, sepse s’ka pasur kurrë më parë një udhëheqje politike të interesuar për t’i dhënë pavarësi drejtësisë dhe as ka pasur një forcë politike të gatshme për të mbështetur një drejtësi të pavarur,  duke i marrë përsipër kostot e saj mbi lëkurën e vet, provojnë krejt, po krejt të kundërtën e avazit, “Korrupsion - Korrupsion - Korrupsion, na mbyti korrupsioni”...

Ato provojnë se korrupsioni nuk po rritet, por po goditet. Ato provojnë se shumica qeverisëse nuk është e korruptuar, po është e palëkundur në mbështetjen e organeve të pavarura të luftës kundër korrupsionit, edhe dhe mbi të gjitha brenda radhëve të saj. Ato provojnë se ne jemi të angazhuar deri në fund, qoftë për reformat e masat e mëtejshme anti-korrupsion nga ana e qeverisë, qoftë për përballimin e kostove politike që sjell angazhimi anti-korrupsion i organeve të pavarura të drejtësisë", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Arresti i Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! Ekspozimi i SHISH, dëm i madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet (VIDEO)