Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, ka mbajtur një mesazh drejtuar shqiptarëve nga Rinasi, pas vizitës së tij në Nju Jork, ku mori pjesë në aktivitetet e zhvilluara në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Siç pritej, Rama foli për masën e sigurisë të caktuar nga SPAK ndaj ish-shefes së SHISH, Vlora Hyseni.
Të lidhura
Rama theksoi se nuk është situatë e pazakontë që drejtuesi i një shërbimi sekret të merret i pandehur, por e cilësoi rast të veçantë faktin që një ish-drejtues i shërbimit sekret është bërë, sipas tij, target kombëtar dhe ndërkombëtar.
Gjithashtu, ai u shpreh se hetimi dhe gjykimi ndaj Vlora Hysenit, janë çështje që u përkasin institucioneve të drejtësisë, ndërsa mbrojtja e SHISH nga çdo dëm kolateral është detyrë e gjithë shtetit.
Kryeministri tha se ka ardhur koha që institucionet ta trajtojnë situatën bashkërisht dhe seriozisht, duke iu referuar edhe Këshillit të Sigurisë, i cili pritet të mblidhet nesër me thirrjen e Presidentit.
Mes të tjerash, Rama u shpreh se e ka vlerësuar punën e Vlora Hysenit në drejtimin e SHISH dhe shtoi se të njëjtin vlerësim e kanë shprehur edhe partnerët.
“Nuk është më siguri herë e parë në historinë e botës që shefi i një shërbimi sekret merret i pandehur, por është hera e parë në historinë e SHISH që një ish-drejtues i shërbimit sekret bëhet target kombëtar dhe ndërkombëtar, thashethemshmërisht mediatik.
Për shkak të masave pas marrjes së një prej atyre masave që shteti merr në një rast kaq fatkeq sa ky, hetimin dhe gjykimin e Vlora Hysnit e ka detyrë kushtetuese drejtësia, jo nuk ka diskutim, kurse mbrojtja e SHISH nga çdo dëm kolateral, është detyrë e gjithë shtetit.
Ndarja e pushteteve nuk të ndahen si ndarje nga përgjegjësia shtetërore, ndaj ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht. Besoj se Këshilli i Sigurisë, thirrur nesër nga presidenti, është vendi i duhur për të reflektuar mbi përgjegjësitë, për të diskutuar garancitë për të mbrojtur institucionet tona kur drejtuesit bëhen subjekt i një hetimi penal. Unë e kam vlerësuar punën e Vlora Hysnit për drejtimin e SHISH, e njëjta gjë edhe partnerët. Ndërsa orvatjet e këtyre ditëve për ta shpjeguar emërimin e kryetarit të SHISH me teori konspirative nuk kanë lidhje me të vërtetën”,– tha Rama.


