“Mund të thonë se oligarkët fitojnë lekët me mua dhe u shes copa Shqipërie”, Rama i prerë: S’ka një provë të vetme që një bir nëne të ketë një qindarkë të tijen në xhepin tim

27/09/2026 15:05

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje në afera korruptive, duke deklaruar se gjatë viteve të tij në shërbimin publik nuk ka përdorur pushtetin për përfitime personale.

Në deklaratën e tij, Rama thotë se mund të ketë bërë gabime, por mohon kategorikisht që të ketë marrë para apo prona në këmbim të vendimeve dhe firmave të tij si kryebashkiak apo kryeministër.

Rama i referohet edhe akuzave të vazhdueshme ndaj tij, duke përmendur pretendimet se oligarkë apo persona të lidhur me krimin kanë përfituar prej tij. Sipas tij, këto akuza mund të përsëriten në mënyrë të vazhdueshme, por nuk shoqërohen me prova që të dëshmojnë se dikush i ka dhënë para në këmbim të një vendimi të marrë prej tij.

Në vijim, kreu i qeverisë thekson se nuk e konsideron veten të pagabueshëm, por ndan këtë nga ajo që e quan një akuzë që, sipas tij, nuk mund të provohet: përdorimi i pushtetit për të tregtuar favore në këmbim të parave apo pronave.

Fjala e Ramës: 

Tani unë me siguri dhe e them sinqerisht duhet të kem fajet e mia, padiskutim.

Por ajo që mund të them me sigurinë më të madhe është se kurrë, në asnjë rast e për asnjë arsye, mua nuk më bën dot askush palë, për asgjë që në të 28 vjet e 4 muajt e shërbimit tim publik, mund të ketë prekur paratë e shqiptarëve, pronat e shqiptarëve, interesat e shqiptarëve.

Patjetër që mund të dalin plot e të flasin në emrin tim, apo kundër emrit tim.

Mund të thonë se pas një kërkese personale apo pune të tyre private, jam unë.

Mund të thonë se pas një bëme korruptive a një gjëme kriminale, jam unë.

Mund të tregojnë përralla me arkitektët e tërë botës, mbledhur rreth meje për të pastruar paratë e kullave të mia.

Mund të rrëfejnë historira, me tërë kriminelët e Shqipërisë që mblidhen që të  fitojnë zgjedhjet për mua.

Mund të thonë se oligarkët e Shqipërisë i fitojnë lekët me mua, që u shes atyre nën dorë copa Shqipërie dhe jetoj në saraje luksoze, e fluturoj në tërë qiejt e botës me avionë privatë, të paguar dhjetra miliona euro me taksat e shqiptarëve.

Të tëra e shumë më shumë se këto i kanë thënë dhe mund t’i thonë përsëri e përsëri, bashkë me të tjera të reja, që do t’u pjellë mendja e fantaksur prej luftës për pushtet apo e urrejtjes për vajmedet.

Po ama një provë të vetme, që një bir nëne ta ketë një qindarkë të tijën në xhepin tim apo në të ardhurat e familjes sonë, dhënë në këmbim të një firme të vetme të hedhur nga unë si kryebashkiak apo si kryeministër, nuk e nxjerrin dot kurrë. Sepse nuk ka lindur akoma ai lloj fenomeni.

E përsëris, unë mund të kem fajet e mia me siguri, nuk jam ëngjëll e as i pagabueshëm nuk jam jo e jo. Por faji që me siguri absolute nuk kam bërë kurrë, është që të tregtoj për para a për prona, pushtetin që shqiptarëve ua kam kërkuar për të rilindur Tiranën e pastaj edhe Shqipërinë.

Kush më njeh e di mirë çfarë flas.

Kush ka përfituar të drejta kushtetuese zhvillimi të pronës a mundësi të ligjshme investimi, edhe falë firmës sime, e di po aq mirë se çfarë flas.

E di mirë çfarë flas po ashtu, kur ju them se pushteti im s’është përdorur kurrë për të dhënë favore të errëta apo për të marrë dhurata të paligjshme.

Top Channel