“Nuk kam prekur kurrë paratë e shqiptarëve”, Rama: S’ka asnjë provë që kam përdorur pushtetin

Nga A2 CNN
27 Shtator 2026, 14:57 | Politikë

“Nuk kam prekur kurrë paratë e shqiptarëve”, Rama:

“Nuk kam prekur kurrë paratë dhe interesat e shqiptarëve”. Kështu është shprehur nga Rinasi kryeministri Edi Rama, në një mesazh drejtuar qytetarëve, duke mohuar akuzat për përfitime të paligjshme përmes pushtetit. Sipas tij nuk ekziston asnjë provë që ai të ketë përdorur postet që ka mbajtur për të marrë para apo prona.

“Nuk ka një provë të vetëm që një qindarkë e tillë të jetë në xhepin tim apo të ardhurat e familjes sonë, dhe një firmë të vetme të hedhur si unë si kryebashkiak apo kryeministër, nuk e nxjerrin dot kurrë, pasi nuk ka ndodhur ai lloj fenomeni. Unë kam gabimet e mia, nuk jam engjëll apo i pagabueshëm, por kurrë nuk e kam bërë tregtinë për para apo prona me pushtetin, por e përdora pushtetin për të rilinduar Tiranën dhe më pas Shqipërinë. Kush ka përfituar mundësi të drejta investimi edhe falë firmës time e di mirë se çfarë flas, kur them se pushteti im nuk është përdorur kurrë për të dhënë favore të errëta apo për të marrë dhurata të paligjshme”, tha Rama.

Rama iu referua edhe akuzave për një orë që pretendohet se është dhuratë nga krimi i organizuar, duke i cilësuar ato si të pabazuara. Rama tha se dhuratat që ka marrë gjatë detyrës si kryeministër janë të regjistruara dhe të regjistruara si prona të shtetit shqiptar.

“Atyre pisanjosëve me kostum parlamentar apo sqep sorrash që paskan thënë se paskam marrë një orë dhuratë nga krimi i organizuar, kryeministri ka një muze pikërisht nga dhuratat që merr kryeministri, që më janë dhënë nga partnerë e miq të vendit tonë. Unë i kam të gjitha dhuratat e regjistruara për kryeministrin si prona të shtetit shqiptar, ndryshe nga paraardhësi im që i ka përlarë në shtëpinë e tij”, tha Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos