Arrestimi ish kreut të SHISH, Rama nga Rinasi: Masë ekstreme, por çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund

Aktualitet

Publikuar: 27/09/2026

Arrestimi ish kreut të SHISH, Rama nga Rinasi: Masë ekstreme, por çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” bashkë me delegacionin që e ka shoqëruar gjatë vizitës 6-ditore në SHBA për Asamblenë e OKB. 

“Sapo jam kthyer nga New York ku siç e dini përfaqësova Shqipërinë në OKB. Vendosa të drejtohem menjëherë nga aeroporti ‘Nënë Tereza’. Zhvillimet e fundit, pas vendosjes së masës të arrestit shtëpie për ish-drejtuesen e SHISH, kërkojnë adresim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë. Ishte pa diskutim një masë ekstreme po të mbajmë parasysh se bëhet fjalë për ekspozimin e një institucioni shumë kyç. Unë s’kam të drejtën të ndërhyj në përmbajtjen e dosjes dhe çfarë e ka çuar gjykatën ta bëjë. S’e kam bërë më parë dhe as nuk do ta bëj. Çdo dyshim duhet të hetohet deri në fund. Çdo akuzë duhet të rrëzohet ose të provohet përmes një procesi të paanshëm“, tha Rama.

Mesazhi i kryeministrit vjen pas hetimeve të SPAK për drejtoreshën e shkarkuar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, e cila dyshohet se i ka dorëzuar informacione sekrete biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar për dosjen ‘AKSHI’.