Papa Leoni XIV: Vetëm Zoti e shuan etjen e njeriut për lumturi, rrezatoni dashurinë e Krishtit
Nga madhështorja Place de la Concorde, një nga sheshet më të mëdha të Parisit, fjalët e Leoni XIV gjatë Meshës solemne kushtuar Virgjërës Mari, e cila na tregon Jezusin, Burimit të Shpëtimit, u ngritën si një përqafim atërore dhe plot dashuri. Mesha u kremtua pasditen e sotme, më 26 shtator, në ditën e dytë të vizitës apostolike në Francë.
Në podiumin e vendosur përballë Avenue des Champs-Élysées, me riprodhimin e trëndafilit jugor të Katedrales Notre-Dame si sfond pas altarit, spikasnin një Kryq i madh i artë, i varur më shumë se katër metra lartësi, dhe në të djathtë statuja e argjendtë e Virgjërës Mari me Krishtin Fëmijë, dhuratë e Karlit X në vitin 1826, e cila përdoret çdo vit në procesionin e 15 gushtit në Katedralen Notre-Dame të Parisit.
Papa mbërriti pas një udhëtimi të gjatë me papamobil. Gjatë rrugës nga Place Charles-de-Gaulle drejt Place de la Concorde, turma e përshëndeti duke thirrur “Léon, Léon” dhe duke valëvitur flamujt verdhë e bardhë të Shtetit të Qytetit të Vatikanit, si edhe shalla e pankarta.
Ishte një festë e madhe në rrugët e Parisit, me familje, të rinj dhe të moshuar të entuziazmuar për të parë Papën. Herë pas here, Leoni XIV ndalonte për të bekuar fëmijë dhe foshnja. Në homelinë e tij, Papa nënvizoi bukurinë e “të qenit përsëri së bashku”, si “vëllezër” dhe “motra”, “për t’i dhënë lavd e nder madhështisë së Zotit”.
Ndërsa shtresa e reve gri që kishte mbuluar qiellin blu që prej mëngjesit filloi të shpërndahej, duke i lënë vend diellit dhe një drite të re, Papa shprehu dëshirën që vizita e tij në Francë t’i forcojë besimtarët në fe e shpresë.
“Prania ime mes jush e forcoftë fenë tuaj dhe t’ju inkurajojë të rrezatoni dhe të përcillni pa pushim jetën, paqen dhe dashurinë e Zotit tonë të dashur Jezu Krisht”.
Jezusi e shuan etjen e njeriut për kuptim
Rreth 800 mijë besimtarë ishin mbledhur përgjatë tre kilometrave, nga Place de la Concorde deri në Place de l’Étoile dhe përgjatë Avenue de la Grande-Armée, për të dëgjuar Papën.
Leoni XIV u ndal te shqetësimet që banojnë në thellësinë e qenies njerëzore, te ajo “etje ekzistenciale” që çdo njeri dëshiron ta shuajë dhe te ajo “zbrazëti” që vazhdimisht kërkon ta mbushë. Dhe dha përgjigjen:
“Është Jezu Krishti, i cili, përmes mishërimit të tij, i del përpara çdo njeriu në historinë e tij dhe i zbulohet si burimi i vërtetë i ujit të gjallë, i aftë ta shuajë etjen e tij. Nuk bëhet fjalë aq për një etje materiale, sesa për një etje për kuptim, për të vërtetën dhe për përmbushje, që banon në zemrën e secilit. Jezusi i përgjigjet kësaj dëshire të thellë për marrëdhënie, për bashkim me Hyjin, ku gjendet plotësia e jetës përgjithmonë”.
Për Zotin, askush nuk është një numër, por një person
Me vështrimin drejtuar të gjithë njerëzve, Leoni XIV pranoi se në botë “asgjë nuk arrin kurrë” t’i kënaqë njerëzit “plotësisht” dhe se, kur mendohet se “e kemi përfunduar” përpjekjen tonë dhe se “janë shpërblyer” mundimet tona, shumë shpesh zbrazëtia e brendshme rikthehet, madje edhe më e thellë. Për ta mbushur këtë zbrazëti shpirtërore, mund të ndodhë që njeriu të kërkojë “kënaqësi të reja”, të dëshirojë “të zotërojë gjëra të reja” dhe të bëjë “gjithçka” për t’u argëtuar, vetëm që të mos e ndiejë atë shqetësim të brendshëm.
Të gjithë dëshirojnë “lumturinë, dashurinë, përmbushjen”, vëren Papa. Por nga cili “burim” kërkojmë ta shuajmë etjen tonë? A mjaftohemi me “të mirat materiale, kënaqësitë e menjëhershme, me shumë idhuj të vegjël që premtojnë detin dhe malin”, ndërsa zemra mbetet “bosh”? Po të pagëzuarit, që kanë marrë “ujin e gjallë për të cilin flet Ungjilli”, a e kanë “takuar vërtet Krishtin personalisht”? Sepse është Jezusi, “Bariu i Mirë”, ai që na udhëheq “drejt burimit të lumturisë dhe të paqes”. Ai “e njeh” secilin “me emër”. Asgjë nuk i shpëton nga sekretet tona, nga synimet tona, nga dobësitë tona. Jezusi “hulumton thellësitë e zemrës sonë”, ai “ka dhënë jetën e vet për ne dhe vazhdon të na e japë përmes Sakramenteve”, shpjegon Papa, duke u kujdesur për grigjën e tij.
“Jezusi zbulon dashurinë e pakushtëzuar të Hyjit për ne. Në sytë e tij, askush prej nesh nuk është një numër në kartën e identitetit dhe as një kod identifikimi, por një person, një person unik dhe i pazëvendësueshëm”.
Ta lëmë fenë të burojë me bollëk, për t’ua shuar etjen të tjerëve
Besimtarëve të ardhur nga pjesë të ndryshme të Francës, “trashëgimtarë të një historie të gjatë dhe të bukur të shenjtë”, Papa u bëri thirrje të pinë nga “burimi” i “zemrës së shporuar të Jezusit” dhe kështu të shuajnë “etjen për Zotin, për jetën, për të vërtetën, për unitetin, për paqen, për bashkimin, për lumturinë”. Ati i Shenjtë Prevost i ftoi gjithashtu t’ua bëjnë të njohur Krishtin të tjerëve dhe të përhapin gëzimin e Lajmit të Mirë që është Ungjilli.
“Synoni të rizbuloni një horizont të ndritshëm, të ndërtoni një komb të përtërirë, duke u nisur nga rrënjët e tij të ujitura nga feja. Mos e mbani vetëm për vete fenë në Jezu Krishtin, por lëreni të burojë me bollëk, që të shuajë etjen dhe të mbushë njerëzit që takoni. Ju takon juve ta çoni shpresën atje ku mbizotërojnë shkurajimi dhe thatësira shpirtërore”.
Duke jetuar “në të vërtetën, nën vështrimin e Jezusit”, mund të “jemi autentikë”, shtoi Leoni XIV, dhe mund ta shohim me kthjelltësi jetën tonë, të brishtë, të cenueshme dhe të destinuar “për kalimin përmes vdekjes”, por njëkohësisht të mrekullueshme, një mrekulli, të aftë të “përtërihet” në “marrëdhëniet dhe të hapet ndaj dashurisë së vërtetë”. Dhe, duke u ushqyer në “zemrën e Krishtit”, njeriu bëhet, siç shkruante Origjeni, “krua, burim dhe lumë për të tjerët”. “Në të vërtetë, besimtari që pi prej tij bëhet edhe vetë burim jete, falë lidhjes së tij ekzistenciale me Krishtin, dhe ua përcjell këtë jetë të njëjtë të afërmve”.
Të përhapim qytetërimin e dashurisë
Shembull janë “misionarët dhe dëshmitarët në të gjitha kulturat dhe te të gjithë popujt”, “frytet në Kishë” të “ujit të gjallë të Shpirtit Shenjt”, i cili është derdhur mbi tokë dhe “bën pjellore gjithçka që lejon të preket dhe të shndërrohet”. Gjatë shekujve, kujtoi Papa, shumë njerëz në Francë e kanë shuar etjen në këtë burim “dhe ia kanë kushtuar tërësisht jetën e tyre së mirës”: martirët e parë, si Blandina, Potini dhe Ireneu; shenjtorët themelues dhe shenjtoret themeluese të Urdhrave rregulltarë; ipeshkvijtë shenjtorë, si Martini dhe Françesku i Salesit; burra dhe gra me zemër të ndjeshme ndaj nevojave të të afërmit, si Vinçenc de Poli, Frederik Ozanam, Zhana Zhugan dhe shumë të tjerë.
“Edhe sot – vijoi Leoni XIV – janë jashtëzakonisht të shumtë, në “shoqëri”, në “famulli” dhe në “veprimtaritë e ndryshme”, ata që vazhdojnë të angazhohen në mbrojtje të jetës, të familjes, të së vërtetës, të paqes, të vëllazërisë dhe të drejtësisë”.
Nga Parisi, Papa ngriti një lutje të veçantë: “Nga ky qytet i bukur i Parisit, lutem përzemërsisht që uji i gjallë i Shpirtit Shenjt të përhapet mbi mbarë Francën. Mendoj për ju, familje të dashura, që, pavarësisht vështirësive të shumta me të cilat përballeni çdo ditë, vazhdoni me guxim në misionin tuaj. Ju falënderoj me gjithë zemër për çdo të mirë që realizohet përmes jush; dhe prania konkrete e Jezusit mos shteroftë kurrë në ju!”.
Më pas Leoni XIV iu drejtua të rinjve: “Mendoj për ju, të dashur të rinj: ju jeni Kisha e sotme! Sa bukur është të shohësh entuziazmin tuaj, gjallërinë tuaj, angazhimin tuaj dhe gëzimin tuaj brenda bashkësive të krishtera”. Papa kujtoi edhe katekumenët dhe neofitët, që po nisin udhën e fesë, të kthimit dhe të fillimit të krishterë: “Dhurata e Shpirtit Shenjt ju bëftë dëshmitarë, të gatshëm të përhapni përreth jush qytetërimin e dashurisë”.
T’i lutemi Marisë që të mbijnë feja, shpresa dhe dashuria
Së fundi, Papa i nxiti besimtarët t’i luten me besim Marisë, “asaj që i udhëheq jetët tona drejt Birit të saj, autorit të çdo hiri”, që, “me ndërmjetësimin e saj, burime uji të gjallë të shpërthejnë” mes “popullit të Zotit” dhe të bëjnë të lulëzojnë kudo në Francë filizat e fesë, të shpresës dhe të dashurisë”.
Animimi liturgjik dhe paraqitja e dhuratave
Meshën solemne e shoqëroi kori i Sainte-Anne-d’Auray, i përbërë nga rreth njëqind të rinj, një kor polifonik me 150 anëtarë nga rajoni i Île-de-France dhe më shumë se një mijë koristë të ardhur nga 34 kore dioqezane të mbarë Francës. Ata alternuan në momente të ndryshme të kremtimit këngët gregoriane me repertorin e lashtë dhe bashkëkohor francez.
Në momentin e paraqitjes dhuratave gjatë Meshës, tri delegacione i dorëzuan Papës dhuratat për shugurimin. Hostia e madhe, e vendosur mbi patenë, u soll nga tre persona të angazhuar në nisma solidariteti në kryedioqezën e Parisit, në shërbim të më të pambrojturve, të të varfërve dhe të njerëzve në situata skamjeje. Vera dhe uji u paraqitën nga përfaqësues të komuniteteve me origjinë të huaj që jetojnë në kryeqytetin francez. Në fund, korporali me hostet iu dorëzua Papës nga tri gra, që përfaqësonin të krishterët lindorë të Kishës siro-malabareze, të Kishës greko-katolike rumune dhe të Kishës katolike eritrease.
Përshëndetja e Imzot Ulrichut
Në përfundim të Meshës, Kryeipeshkvi i Parisit, Imzot Laurent Ulrich, i drejtoi Papës përshëndetjen në emër të të gjithë besimtarëve. Ai rikujtoi çastet e ndryshme të këtyre dy ditëve dhe e falënderoi Papën për “praninë” dhe “fjalët” e tij, si dhe për vëmendjen kushtuar katekumenëve, neofitëve dhe udhës së Kishës së Parisit e të tetë dioqezave të tjera të provincës, “si kuvend sinodal provincial”. Në fund, Kryeipeshkvi i dhuroi Leonit XIV një kopje të Zojës Mari Notre-Dame de Paris, të paraqitur në Katedrale, në bazën e majës së shembur më 15 prill 2019, si “Mbretëresha e paqes” dhe “Dera e qiellit”. E shkatërruar gjatë zjarrit të shtatë viteve më parë, figura u riprodhua falë disa fotografive dhe u rivendos aty ku ndodhej dikur origjinali.
Papa, nga ana e tij, i la dhuratë kryedioqezës së Parisit një kelk. “Faleminderit për gjithçka”, përfundoi Imzot Ulrich, “tani ju ndjekim drejt Lurdës dhe Metz-it.”
Vatican News

