Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas videomesazhit të kryeministrit Edi Rama nga Rinasi për arrestin shtëpiak të caktuar nga SPAK ndaj ish-shefes së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
Bardhi akuzon Ramën se po i shmanget përballjes së drejtpërdrejtë me gazetarët dhe llogaridhënies publike, duke folur përmes një videomesazhi të regjistruar paraprakisht.
Sipas Bardhit përballë akuzave për lidhje mes pushtetit, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit, qytetarët kanë nevojë për transparencë dhe përgjigje, dhe jo për komunikime të regjistruara.
“Edi Rama po i shmanget llogaridhënies dhe po fshihet pas komunikimeve të kontrolluara, duke përjashtuar gazetarët nga përballja e drejtpërdrejtë dhe nga e drejta për t’i bërë pyetjet që publiku kërkon përgjigje. Një kryeministër që nuk përballet me gazetarët, që shmang pyetjet dhe që zgjedh të flasë vetëm kur kontrollon vetë kamerën dhe mesazhin, nuk po komunikon me qytetarët, po i shmanget përgjegjësisë përpara tyre.
Përballë akuzave të rënda për lidhje mes pushtetit, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit, Shqipëria nuk ka nevojë për video të vetëregjistruara me kameraman Taulant Ballën dhe monologje politike. Ka nevojë për përgjigje, transparencë dhe llogaridhënie. Kur pushteti i shmanget pyetjeve, shmanget edhe përgjegjësisë. Kur një kryeministër fshihet nga përballja, qytetarët kanë të drejtë të pyesin: çfarë po përpiqet të fshehë? Llogaridhënia nuk negociohet. Përgjegjësia nuk shmanget. Dhe askush nuk është mbi pyetjet e publikut”,- shprehet Bardhi.
LEXO EDHE:
Gysi dhe Vlora detyrojnë Ramën të sulmojë median dhe drejtësinë












