'Rama në izolim', Zhulali: AKSHI dhe SHISH e ekspozuan si kreun e një shteti të lidhur me krimin

15:21, 27/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Drejtuesja e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në PD, Ilda Zhulali, e ftuar në edicionin e pasdites në Syri TV, deklaroi se kryeministri Edi Rama ndodhet, sipas saj, në ditët e tij më të vështira politike dhe ndërkombëtare.

Duke komentuar zhvillimet e fundit, Zhulali tha se Rama është sot “në ditën e izolimit të vet më të madh”, ndërsa akuzoi kryeministrin se situata e AKSHI-t dhe SHISH-it e ka ekspozuar atë si kreun e një pushteti që bashkëpunon me krimin e organizuar.

“E kanë ekspozuar atë si kreu i një korporate që e ka bërë shtetin korporatë të krimit të organizuar”, u shpreh Zhulali.

Zhulali kritikoi edhe fjalimin e fundit të Ramës, duke e cilësuar si përsëritje të justifikimeve të përdorura nga kryeministri në raste të ndryshme gjatë viteve.

Ajo tha se Rama nuk dha asnjë përgjigje të re përballë situatës ku ndodhet qeveria dhe tashmë duhet të përballet me përgjegjësinë politike.

Zhulali theksoi se mungesa e një dorëheqjeje mund ta çojë situatën drejt një përballjeje tjetër me drejtësinë, duke lënë të kuptohet se kryeministri mund të përballet me zhvillime të reja që lidhen drejtpërdrejt me të.

“Duket sikur i parapriu një bombe tjetër që pritet të vijë drejt tij, me emrin e tij personalisht”, deklaroi ajo.

Pjesë nga intervista:

Edi Rama nuk zhgënjen asnjëri, kush priste që të zhgënjehej prej tij dhe të gjente një njeri të përgjegjshëm që krejt papritur erdhi si një njeri që ka mbajtur barrën e gjithë situatës që ndodhet Shqipëria.

Në fakt, ka të njëjtin njeri që iku nga Shqipëria dhe sot është krejtësisht i izoluar ndërkombëtarisht. Ai vjen nga OKB, ku nuk takoi dot asnjëri, nuk bëri dot asnjë takim dypalësh të rëndësishëm, ndryshe nga herët e tjera që ai shfaqet duke u përqafuar me liderë të ndryshëm botërorë. Sot ai është në ditën e izolimit të vet më të madh.

Është parë ashtu në ditët e diskreditimit të tij më të madh ndërkombëtar. Kjo që ka ndodhur me situatën e AKSHI-t dhe të Shishit bashkë, sepse këto janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, e kanë ekspozuar atë si kreu i një korporate që e ka bërë shtetin korporatë të krimit të organizuar dhe drejtohet në bashkëpunim me krimin e organizuar. Edhe kësaj përgjegjësie ai nuk i shpëton dot.

Pati një fjalim të gjatë me fjali që i ka përsëritur në momente të ndryshme. Herë-herë më ngjante si fjalimi që mbahet sipas Saimir Tahirit, herë si fjalimi që mbahet i asaj pas armëve kimike që donte të sillte në Shqipëri, herë si justifikimi që gjente pas ndalimit të Mirlinda Karçanajt, herë si justifikimi që gjente pas kërkesës për dorëzimin e imunitetit të Belinda Ballukut. Pra, është një vazhdimësi e të njëjtit vajtim që e kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve, por sot nuk pati asnjë qëndrim të ri. Të gjithë njerëzit presin vetëm një gjë nga Edi Rama: që ai të largohet.

Dhe në mungesë të largimit të tij me dorëheqje, siç do të ishte normalisht, veprimi i çdo kryeministri apo njeriu të përgjegjshëm që e kupton çfarë do të thotë qeverisja e një vendi, ai pastaj do të ketë një fund tjetër, por në një farë mënyre iu duk sikur i parapriu edhe një daljeje të tij përpara organeve të drejtësisë.

Duket sikur i parapriu një bombe tjetër që pritet të vijë drejt tij, me emrin e tij personalisht. Kështu u duk të paktën, kështu e lexova unë nga mënyra si e trajtoi, por ai, pavarësisht bashkëpunëtorëve që kishte sjellë në një formë apo tjetër, ky ishte krejt i “papërlyeri”.

Megjithatë, sot nuk ka njeri dyshim, jo vetëm në Shqipëri, por mendoj edhe nga partnerë që deri dje e kishin mbështetur. Nuk ka njeri që t’i blejë alibitë e tij, t’ia ndërrojë apo t’ia relativizojë.

Kështu që ai sot rikthehet si i njëjti kryeministër, i izoluar dhe i diskredituar botërisht, dhe që pret atë shtyrjen e fundit për ta lëvizur nga pushteti, aq më tepër që e panë vogëlsinë e tij, vrimën ku është futur, i vogël.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco