VIDEO/ “Paraja nuk është vlerë”, regjisori Kriks Dumo: Dëshira për sukses dhe kurthi i parave të shpejta

27 Shtator 2026, 17:00Kulturë TEMA
VIDEO/ “Paraja nuk është vlerë”, regjisori Kriks

Nëse ka një ndjesi që i përkufizon më së miri kohërat në të cilat jetojmë, është dëshira për t’ia dalë mbanë me çdo kusht dhe që bota të na e njohë suksesin tonë, cilido qoftë ai. Në të shumtën e rasteve kjo merr formën e dëshirës për t’u pasuruar sa më shpejt; ndonjëherë merr formën e rendjes drejt suksesit apo famëms. Mundësitë për t’i arritur të gjitha këto, të paktën në teori, janë kudo. Cilido mund të krijojë sot një audiencë të vetën, të ndërtojë një karrierë të sukseshme bazuar tek talenti dhe të jetë dikushi. Rrjetet sociale na japin modelet dhe provën e kësaj, por ajo që nuk para e shohim është çfarë vjen para gjithë kësaj: paratë, njohjet, dështimet apo edhe fati që e bëjnë të mundur suksesin. Shohim vetëm rezultatin dhe matemi me të, sikur të gjithë ta nisnim jetën nga e njëjta pikë.

Është ky padurim për sukses dhe pasuri që e përshkon “Koka e Kolës,” filmin e parë me metrazh të gjatë të regjisorit të ri Kriks Dumo, i cili më bashkohet në këtë episod të Apostrof. Një film që bën bashkë komedinë, aksionin dhe dramën për të treguar historië e një të riu, përpjekjet e të cilit për t’i dalë në krye jetës, e tërheqin drejt botës së krimit dhe përballjeve gjithnjë e më të rrezikshme. Sokoli (Kola) nuk e ka guximin e nevojshëm për të përballuar botën në të cilën kërkon të hyjë, por është mjaftueshëm kokëkrisur sa të mendojë që mund t’ua hedhë të gjithëve. Siç thotë edhe vetë Dumo, personazhi i tij ka dështuar në çdo përpjekje për t’ia dalë mbanë në mënyrë të ndershme. Paratë janë e vetmja gjë që i premtojnë një mundësi për t’u arratisur nga zhgënjimet e njëpasnjëshme, edhe pse nuk e ka idenë se çfarë do të bënte me to, apo se çfarë njeriu do të bëhej në momentin që do t’i siguronte ato.

Dumo përdor komedinë për ta tërhequr publikun brenda kësaj bote, para se ta vendosë atë përballë pasojave. Ai e lidh vendimin e tij për ta mbajtur pjesën më të madhe të dhunës jashtë ekranit me distancën që të gjithë ne kemi ndaj brutalitetit për të cilin dëgjojmë në lajme. Biseda kthehet gjithashtu tek kuptimi i parasë sot. “Të thuash ‘kam para’ nuk është vlerë,” thotë Dumo. Siguria financiare është e rëndësishme, por dilema është se përse pasuria duhet parë si provë e vlerës së dikujt, ndërkohë që mënyra se si ajo është arritur nuk merr të njëjtën vëmendje.

Realizimi i filmit ka kërkuar një durim që protagonistit të tij, qartësisht i mungon. Duke punuar me një buxhet të vogël dhe ndihmë praktike nga bashkëpunëtorët e tij, Dumo thotë se ka zgjedhur të marrë më shumë kohë për realizimin e tij, në mënyrë që të arrinte rezultatin që donte. Ai thotë gjithashtu se gjatë xhirimeve i është dashur ta ndajë kohën mes setit dhe spitalit, ku babai i tij po operohej. Këto detaje e rikthejnë bisedën tek puna që zakonisht e shohim në imazhin përfundimtar të suksesit. Pas një filmi për arritjen e suksesit të shpejtë, fshihet një proces dhe punë më e ngadaltë për arritjen e rezultateve dhe për të vazhduar edhe kur nuk je gjithmonë i sigurtë se do të shpërblehesh në fund.

Lini një Përgjigje