Nju Jork – Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC), i udhëhequr nga presidenti i tij Martin Vulaj organizoi në Nju Jork Mbrëmjen e II-të Vjetore Gala, një nga ngjarjet më të rëndësishme politike e shoqërore të komunitetit tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Aktiviteti mblodhi bashkë përfaqësues të lartë të diplomacisë, ambasadorë te akredituar ne SHBA nga Shqiperia dhe Kosova, drejtues të organizatave OJQ-ve në SHBA, gazetarë, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe personalitete të njohura të biznesit e kulturës. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ferid Hoxha ishte prezent gjithashtu, Zv. Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Glauk Konjufca ishte i pranishëm dhe një nga diskutantët e këtij eventi.
I ftuar gjithashtu ishte Kryeministri Edi Rama, i cili ndërmjet të tjerave foli mbi rolin e diasporës shqiptare në SHBA, duke vlerësuar kontributin e përhershëm të komunitetit shqiptaro-amerikan si një urë e fuqishme lidhëse diplomacie dhe zhvillimi ekonomik midis SHBA-së dhe trojeve shqiptare, foli mbi partneritetin Strategjik me SHBA, konfirmoi përkushtimin e Shqipërisë për të mbetur një aleat i palëkundur i Uashingtonit në Ballkan. Theksoi mbështetjen për integrimin e Kosovës në NATO dhe thellimin e stabilitetit e të drejtave të shqiptarëve në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Foli për integrimin dhe përfshirjen e Shqipërisë në BE dhe mbeshteti luftën për liri të drejtuesve të lartë të UÇK-së që ndodhen në Hagë. Ai tha se Shqipëria është e Zotit e miqve sigurisht dhe e shqiptarëve.
Gjithashtu fjalën në këtë takim të dytë vjetor të AARC me personalite amerikane dhe të huaja si dhe përfaqësues të trupës diplomatike shqiptare, e morën ish Presidentja e Kosovës znj. Vjosa Osmani, Kryetari i Bashkisë së Prishtinës Përparim Rama, Kryeministri i Maqedonisë se Veriut Hrisjan Mickoski, si dhe gjenerali Wesley Clark. Ish-Komandanti i Lartë i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali Clark udhëhoqi fushatën ajrore 78-ditore të vitit 1999 që i dha fund spastrimit etnik dhe regjimit të Sllobodan Millosheviçit në Kosovë.
Fjalën e hapjes e mbajti përfaqësuesi i Këshillit Shqiptaro - Amerikan Eli Rusi, më pas folën Presidenti i AARC z. Martin Vulaj, Burim Rexhaj, etj. Presidenti i AARC-së, Martin Vulaj, foli për rolin e diasporës në SHBA, u ndal edhe tek misioni i Këshillit si një zë i fuqishëm i interesave shqiptare pranë qendrave të vendimmarrjes në Uashington, përfshirë Kongresin Amerikan dhe Departamentin e Shtetit. Vulaj theksoi se bashkëpunimi i ngushtë mes diasporës aktive dhe diplomacisë zyrtare është një domosdoshmëri për të mbrojtur dhe avancuar çështjet kyçe të shqiptarëve në Ballkan.
Mbrëmja Gala shërbeu si një platformë diskutimi për disa nga temat më me peshë siç janë partneriteti strategjik me SHBA, rëndësia e ruajtjes dhe thellimit të aleancës me Uashingtonin si shtyllë e sigurisë dhe zhvillimit në rajon. Sfidat e shqiptarëve në rajon si koordinim i përpjekjeve për të mbështetur të drejtat dhe zhvillimin e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Nevoja për një dialog konstruktiv, ku zëri kritik i diasporës të dëgjohet me përgjegjësi nga institucionet zyrtare, si dhe fuqizimi i brezit të ri, për nxitjen e përfshirjes së të rinjve shqiptaro-amerikanë në jetën publike dhe politike amerikane.
Përgjatë mbrëmjes u vu theksi te nevoja për nxitjen e investimeve të diasporës në ekonominë shqiptare, si dhe te diplomacia publike si mjet për lartësimin e imazhit të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.
Eventi u shoqërua nën interpretimin e himnit kombëtar shqiptar, himnit amerikan dhe himni i Kosovës, ky ishte edhe një nga momentet më solemne të mbrëmjes gala të AARC-së. Muzikë live pati gjitashtu nga kitaristi me famë ndërkombëtare Faton Maluca, njohur veçanërisht në zhanrin e xhazit dhe këngëtarja e muzikës pop dhe baladave shqiptare Mariza Ikonomi. Kombinimi harmonik i virtuozitetit të Faton Macula në kitarë me zërin potent e ekspresiv të Mariza Ikonomit krijoi një nga bashkëpunimet më elegante dhe estetike të skenës muzikore shqiptare. Duke i dhënë një frymë bashkëkohore dhe ndërkombëtare e muzikës shqipe përpara komunitetit shqiptaro - amerikan. Moderatore e programit ishte veprimtarja Belisa Vneshta.
Përtej protokollit brenda sallës ku zhvillohej gala, ngjarja u shoqërua me tone të forta reagimi jashtë dyerve të saj. Dhjetëra shqiptarë të diasporës në Nju Jork u mblodhën në një protestë paqësore kundër pranisë së Kryeministrit Edi Rama. Me pankarta në duar dhe thirrje për ndryshim politik në Tiranë, protestuesit shprehën shqetësimin e tyre për situatën ekonomike, korrupsionin dhe largimin e rinisë nga vendi. Kërkesat e tyre ishin "Bashkohuni me ne. Rama në burg, Berisha në burg". Prania e tyre përballë godinës ku zhvillohej gala nënvizoi pluralizmin dhe opozitarizmin e gjallë që ekziston brenda komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili kërkon llogaridhënie nga drejtuesit e shtetit amë.
Aktiviteti u përmbyll me vlerësimin e gjeneral Wesley Clark me medaljen "Kalorësi i Skënderbeut", si dhe të disa figurave të tjera që kanë dhënë një kontribut të shquar për komunitetin dhe për forcimin e lidhjeve historike mes popullit shqiptar dhe atij amerikan si Bruno Selimaj etj. Kjo mbrëmje e dytë, gala e konsolidon AARC-në si një nga faktorët më me ndikim në strukturimin e dialogut transatlantik.
Lini një Përgjigje