Gazetari Enton Abilekaj, ka komentuar monologun e kryeministrit Edi Rama, duke argumentuar se zgjedhja për të mos zhvilluar një konferencë shtypi lidhet me dëshirën e tij për të kontrolluar mesazhin dhe për të shmangur pyetjet e gazetarëve.
I ftuar në SYRI TV, Abilekaj u shpreh se Rama kërkonte vëmendjen maksimale dhe zgjodhi një ditë me pak ngjarje për të transmetuar mesazhin e tij.
Abilekaj u ndal veçanërisht te fakti që Rama, sipas tij, fillimisht kishte menduar për një konferencë shtypi, por më pas zgjodhi një format pa pyetje.
Sipas gazetarit, në monologun e tij Rama u përpoq të paraqiste një version të qeverisjes së tij pa korrupsion dhe pa lidhje me personazhet për të cilët opozita dhe mediat kanë ngritur akuza.
Abilekaj argumentoi se Rama, sipas tij, kërkoi t’i paraqiste këto si bilanc të qeverisjes së tij, ndërsa shmangu gazetarët pikërisht për të mos u përballur me pyetje mbi këto çështje.
“Besoj që ai donte të kishte vëmendjen maksimale, të përgatiste videon ashtu siç donte ai. Zgjodhi një ditë pa ngjarje, që të kishte vëmendjen maksimale.
Në fillim mendoi ta bënte konferencë shtypi, por kjo është thelbi: pse nuk u bë konferencë shtypi. Unë mendoj që nuk u bë sepse ai donte të fliste pa filtra. Një njeri që do të mashtrojë pa filtra, largon çdo njeri që mund t’i vërë filtra dhe mund ta pyesë.
Kjo është arsyeja që ai ka bërë një monolog. Në monolog pamë që po fliste për një qeverisje si ajo që ne nuk e kemi parë ndonjëherë në Shqipëri nga Edi Rama, për një qeverisje pa korrupsion dhe pa personazhet për të cilët janë ngritur akuza.
Të gjitha këto ai donte t’i shiste si veprën e tij trumbetuese 10-vjeçare dhe besoj që kjo ishte arsyeja që s’donte gazetarë për ta pyetur për këtë. Pra, për të shmangur pikërisht pyetjet, ai shmangu gazetarët”,- tha ndër të tjera Abilekaj.












