Kryeministri Rama tha se mund të ketë kryer shumë gabime gjatë viteve të tij në politikë, por askush nuk e akuzon dot se ka vepruar kundër interesit të Shqipërisë. Rama u shpreh se mund të thonë shumë gjëra, por nuk ka asnjë provë të një firme të tij qoftë si kryebashkiak, qoftë si kryeministër.

“Demokracitë kanë organe qeverie, po kanë edhe organe të pavarura drejtësie dhe prandaj e kam kërkuar me aq këmbëngulje Reformën në Drejtësi dhe e mbështes me kaq vullnet drejtësinë e re - përtej të gjitha boshllëqeve e lajthitjeve të saj, sa të dhimbshme, aq edhe të kuptueshme. Tani unë me siguri dhe e them sinqerisht duhet të kem fajet e mia, padiskutim. Por ajo që mund të them me sigurinë më të madhe është se kurrë, në asnjë rast e për asnjë arsye, mua nuk më bën dot askush palë, për asgjë që në të 28 vjet e 4 muajt e shërbimit tim publik, mund të ketë prekur paratë e shqiptarëve, pronat e shqiptarëve, interesat e shqiptarëve. Patjetër që mund të dalin plot e të flasin në emrin tim, apo kundër emrit tim. Mund të thonë se pas një kërkese personale apo pune të tyre private, jam unë. Mund të thonë se pas një bëme korruptive a një gjëme kriminale, jam unë. Mund të tregojnë përralla me arkitektët e tërë botës, mbledhur rreth meje për të pastruar paratë e kullave të mia.

Mund të rrëfejnë historira, me tërë kriminelët e Shqipërisë që mblidhen që të  fitojnë zgjedhjet për mua. Mund të thonë se oligarkët e Shqipërisë i fitojnë lekët me mua, që u shes atyre nën dorë copa Shqipërie dhe jetoj në saraje luksoze, e fluturoj në tërë qiejt e botës me avionë privatë, të paguar dhjetra miliona euro me taksat e shqiptarëve. Të tëra e shumë më shumë se këto i kanë thënë dhe mund t’i thonë përsëri e përsëri, bashkë me të tjera të reja, që do t’u pjellë mendja e fantaksur prej luftës për pushtet apo e urrejtjes për vajmedet. Po ama një provë të vetme, që një bir nëne ta ketë një qindarkë të tijën në xhepin tim apo në të ardhurat e familjes sonë, dhënë në këmbim të një firme të vetme të hedhur nga unë si kryebashkiak apo si kryeministër, nuk e nxjerrin dot kurrë. Sepse nuk ka lindur akoma ai lloj fenomeni. E përsëris, unë mund të kem fajet e mia me siguri, nuk jam ëngjëll e as i pagabueshëm nuk jam jo e jo. Por faji që me siguri absolute nuk kam bërë kurrë, është që të tregtoj për para a për prona, pushtetin që shqiptarëve ua kam kërkuar për të rilindur Tiranën e pastaj edhe Shqipërinë”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Arresti i Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! Ekspozimi i SHISH, dëm i madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet (VIDEO)