Kryeministri Rama tha se fundi i pandëshkueshmërisë është ndryshimi historik që po ndodh, deklaratë që vjen pas arrestit të ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit. Ai shtoi se arsyeja e ekzistencës së organeve të drejtësisë është pamundësia e drejtuesit të një vendi për të mos ditur një sërë informacionesh për vartësit e tij. Në këtë linjë, Rama shprehu mbështetje të vazhdueshme për organet e drejtësisë së re.

“Unë premtova rilindjen e një Shqiperie të rrënuar dhe shtetbërjen europiane të Shqipërisë, jo një qeverisje ku askush nuk do të shkelte askurrë në dërrasë të kalbur dhe as një administratë engjëllore, ku xhagajdurët do të avullonin me urdhërin e peshkut, kur I thonë fjalës. Mirë do ishte, por se ka arritur kush në botë.

E mbi të gjitha unë u zotova për çlirimin e pavarësimin e drejtësisë dhe fundin e pandëshkueshmërisë për njerëzit e pushtetshëm, pavarësisht përkatësisë politike apo afërsisë me majën e pushtetit politik. Dhe ky është ndryshimi historik që sot po ndodh, ndërkohë që pyetja me vend, nuk është si ka mundësi të mos e dijë kryeministri kur një vartës i tiji shkel ligjin, po është si mund ta dijë kryeministri që vartësi i tij po mendon ta shkelë ligjin apo po vepron fshehtazi në shkelje të ligjit?

Kryeministri as nuk e ka të mundur të parashikojë sjelljen e çdo individi përballë tundimeve të pushtetit, as e ka të lejuar të përgjojë bashkëpunëtorët e vet se çfarë bëjnë nën rrogoz dhe as e ka të mundur të lexojë mendjen e dikujt kur ajo fillon të kurdiset për të punuar së prapthi. Prandaj edhe demokracitë kanë organe qeverie, po kanë edhe organe të pavarura drejtësie dhe prandaj e kam kërkuar me aq këmbëngulje Reformën në Drejtësi dhe e mbështes me kaq vullnet drejtësinë e re - përtej të gjitha boshllëqeve e lajthitjeve të saj, sa të dhimbshme, aq edhe të kuptueshme", tha Rama.


Lajmi kryesor:

Arresti i Hysenit, Rama: Masë ekstreme, por përballë drejtësisë do jetë e vetme! Ekspozimi i SHISH, dëm i madh! Dorëheqje? Asgjë s’më ndal, korrupsioni po goditet (VIDEO)