Fundi i konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit mund të arrihet vetëm përmes negociatave. Kështu është shprehur Teherani zyrtar, pasi presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë publikisht një propozim iranian për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se propozimi i Iranit nuk ishte i pranueshëm. Sipas tij, Teherani kërkonte një marrëveshje për të rihapur ngushticën për anijet tregtare brenda shtatë ditësh.
“Po e hedh poshtë marrëveshjen e tyre”, deklaroi Trump të shtunën, duke shtuar se Irani “po humb shumë keq” dhe se SHBA-të tashmë kanë “kontroll të plotë” mbi ngushticën.
Në një postim në Telegram, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se Teherani do të presë një përgjigje zyrtare dhe përfundimtare nga Uashingtoni përpara se të marrë një vendim, duke iu referuar deklaratave kontradiktore të bëra më herët nga presidenti amerikan.
Araghchi deklaroi se kushtet e Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit janë të njëjtat që ishin përfshirë në një memorandum mirëkuptimi mes dy vendeve, të nënshkruar në qershor.
Sipas Teheranit, çështja e rihapjes së ngushticës dhe përfundimit të armiqësive ishte ngritur gjatë negociatave të zhvilluara në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork javën e kaluar.
Refuzimi i propozimit iranian nga Trump u mbështet edhe nga ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker. Në një intervistë për Fox News, ai tha se Irani kishte ofruar “gjysmëmasa” për të krijuar një imazh pozitiv në arenën ndërkombëtare.
Ndërkohë, Omani, i cili ka luajtur rolin e ndërmjetësit mes SHBA-së dhe Iranit, u ka bërë thirrje palëve të vijojnë dialogun për zgjidhjen e krizës.
Ngushtica e Hormuzit është një prej rrugëve detare më të rëndësishme në botë, përmes së cilës transportohet zakonisht rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz. Sipas tekstit të raportit, ajo është praktikisht e mbyllur që prej shpërthimit të konfliktit SHBA-Iran në shkurt.

