Bllokoi autostradën për xhirimin e videoklipit, dëbohet nga Italia këngëtari
Italia ka dëbuar një muzikant moldav të muzikës trap, i akuzuar se bllokoi një aks të rëndësishëm rrugor pranë Milanos për të xhiruar një videoklip. Lajmi u bë i ditur nga ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi.
VIDEO- Bllokoi autostradën për xhirimin e videoklipit
Ngjarja ka ndodhur në shtator, kur muzikanti Nicolae Novacenko, i njohur me emrin artistik Bratan, dyshohet se bllokoi rrugën duke drejtuar një motor, së bashku me një grup prej rreth 30 personash. Pamjet e xhiruara u publikuan më pas në profilin e tij në Instagram.
Sipas ministrit Piantedosi, autoritetet italiane e konsideruan 32-vjeçarin si kërcënim për sigurinë publike. Për këtë arsye, leja e qëndrimit iu revokua dhe ai u dërgua me fluturimin e parë drejt vendit të origjinës.
Sipas mediave italiane, Bratan jetonte në Itali që prej moshës 17-vjeçare dhe kishte krijuar jetën e tij atje. Ai është gjithashtu baba i një fëmije njëvjeçar.
Rasti ka tërhequr vëmendje për shkak të mënyrës së organizimit të xhirimeve dhe bllokimit të një aksi rrugor të rëndësishëm, ndërsa autoritetet italiane kanë ndërmarrë masa ndaj muzikantit për shkeljet e dyshuara.




