Arrestimi i pesë burrave që po planifikonin sulme terroriste në bazën ajrore RAF Fairfor, Trump: Fantastike, do shkaktonin dëm të madh

27/09/2026 18:00

Presidenti amerikan Donald Trump ka përshëndetur arrestimin e pesë burrave në Britani, të dyshuar për përgatitjen e një akti terrorist pranë bazës ajrore RAF Fairford, duke e cilësuar operacionin e autoriteteve britanike si një zhvillim “fantastik”.

Duke folur me gazetarët në Illinois, Trump tha se personat e arrestuar po planifikonin të shkaktonin “dëm të madh” dhe vlerësoi bashkëpunimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe.

“Ne i kemi ndjekur ata për një kohë të gjatë dhe më në fund i kapëm”, deklaroi Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi rolin që mund të kenë pasur agjencitë amerikane në këtë operacion.

Sipas policisë britanike, incidenti nisi rreth orës 00:45 të mëngjesit të së dielës, pas një telefonate për tre automjete të dyshimta që po lëviznin në drejtim të RAF Fairford.

Policia e armatosur mbërriti në zonë dhe arrestoi pesë burra nën dyshimin për përgatitjen e një akti terrorist.

Rreth automjeteve të dyshimta është vendosur një perimetër sigurie prej 400 metrash, ndërsa një njësi speciale e ushtrisë britanike për asgjësimin e eksplozivëve po kryen kontrolle.

Policia e ka cilësuar ngjarjen si një “incident të madh”, por ka theksuar se situata besohet të jetë nën kontroll.

Si masë paraprake, autoritetet kanë evakuuar 85 banesa në zonën përreth, ndërsa hetimet për rrethanat e arrestimeve vijojnë.

Top Channel