Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Noka: Shqiptarët prisnin dorëheqjen, por dëgjuan një monolog të përsëritur
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka sulmuar kryeministrin Edi Rama pas deklaratës së tij publike, duke e akuzuar se shmangu përballjen me gazetarët në një moment kur, sipas opozitës, duhej të jepte përgjigje për çështjen e Vlora Hysenit dhe emërimet në institucionet e sigurisë.
Sipas Nokës, Rama anuloi konferencën për shtyp dhe zgjodhi t’i drejtohej publikut përmes një kamere, pa u përballur me pyetjet e gazetarëve.
‘Rama shmangu përballjen me gazetarët. Anulloi konferencën për shtyp. Shqiptarët prisnin reagimin e tij për skandalin shtetëror që mban emrin Vlora Hyseni, të cilën e emëroi në krye të SHISH’, shkruan Noka.
Reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka:
Rama shmangu përballjen me gazetarët. Anulloi konferencën për shtyp.
Shqiptarët prisnin reagimin e tij për skandalin shtetëror që mban emrin Vlora Hyseni, të cilën e emëroi në krye të SHISH. Mirëpo i ka hyrë lepuri në bark, aq sa nuk e pati burrërinë t’i bënte ballë pyetjeve që gazetarët do i drejtonin. Zgjodhi t’i fliste një kamere
Sot shqiptarët prisnin që Edi Rama të jepte llogari për vendimet e tij politike, sepse emërimet e tij janë përgjegjësia e tij politike.
Shqiptarët prisnin dorëheqjen, por dëgjuan një monolog të përsëritur. Panë një paburrëri shtetërore, një ngutje për t’ia hedhur edhe kësaj radhe me një fjalim të rishkruar.
Edi Rama vendosi shtetin në dispozicion të krimit.
Kartelet kontrollojnë karriget e larta të shtetit, përfshirë kryeministrin.
Sot Shqipëria nuk ka siguri kombëtare.
SHISH dhe Policia e Shtetit kontrollohen nga Ergys Agasi. Bashkëpunëtorët sekretë të SHISH dhe policisë i ka në xhep Agasi, Suel Çela, Troplinët dhe Xhabaftët. Ministrin e Mbrojtjes e kontrollon Agasi me ortakun Ron Yeffet.
Për asgjë nga këto nuk guxoi të përgjigjet Edi Rama. Të gjithë e dinë psenë. Ai është strumbullari i këtyre skandaleve shtetërore. Ai është kurbani i fundit i narkoshtetit që krijoi. Ka radhën.

