Kur sistemi imunitar ndihmon tumorin të rritet, si një sinjal inflamator mund të kthejë qelizat imune në “aleate” të kancerit Një marrëdhënie e pakënaqur mund të ndikojë jo vetëm në mirëqenien emocionale, por edhe në shëndetin fizik.
Grindjet e vazhdueshme mund të lidhen me gjumë të dobët, dhimbje fizike dhe probleme të shëndetit mendor, ndërsa marrëdhëniet e shëndetshme janë shoqëruar me përfitime për shëndetin dhe jetëgjatësinë.
Për këtë arsye, terapistët e çifteve theksojnë se problemet në një marrëdhënie nuk lidhen gjithmonë me vetë konfliktin, por me mënyrën se si partnerët sillen me njëri-tjetrin gjatë tij.
Sipas hulumtimeve, çiftet shpesh debatojnë për të njëjtat çështje gjatë gjithë marrëdhënies. Këto njihen si probleme të përhershme ose të bllokuara dhe mund të lidhen me financat, prindërimin, jetën seksuale, ndarjen e pushtetit në marrëdhënie apo edhe me çështje të përditshme, si pastërtia e shtëpisë.
Një studim afatgjatë i psikologut John Gottman dhe ekipit të tij zbuloi se në 69% të rasteve, çiftet vazhdonin të debatonin për të njëjtat çështje edhe katër vjet më vonë.
Paratë janë ndër temat që shkaktojnë më shumë konflikte të vazhdueshme, ndërsa ndarja e pabarabartë e punëve të shtëpisë është një tjetër burim i rëndësishëm tensioni.
Megjithatë, vetë debati nuk është domosdoshmërisht një shenjë se një marrëdhënie po dështon. Edhe çiftet e lumtura grinden. Dallimi kryesor qëndron në mënyrën se si partnerët përballen me konfliktin.
Katër sjellje që mund ta dëmtojnë rëndë marrëdhënien
Carrie Cole, psikologe dhe drejtoreshë kërkimi në Institutin Gottman për terapinë e çifteve në Seattle, përmend katër sjellje që lidhen me përkeqësimin e marrëdhënies, kritikën, përbuzjen, mbrojtjen dhe bllokimin.
Bllokimi nënkupton tërheqjen nga konflikti dhe refuzimin për t’u angazhuar në diskutim.
Sipas Cole, këto sjellje mund të jenë jashtëzakonisht dëmtuese, por mund të ndryshohen nëse të dy partnerët janë të gatshëm të punojnë për marrëdhënien.
Në të kundërt, konfliktet konstruktive, ku partnerët përpiqen të gjejnë zgjidhje së bashku dhe komunikojnë me respekt, kuriozitet dhe mirësi, mund të ndihmojnë në forcimin e lidhjes.
Një element i rëndësishëm është edhe ndjenja se partneri të dëgjon, të mbështet dhe të kupton. Kjo lidhet jo vetëm me kënaqësi më të madhe në marrëdhënie, por sipas disa studimeve edhe me përfitime për shëndetin fizik.
Si rindërtohet empatia?
Kur një marrëdhënie ka arritur në një pikë konflikti të vazhdueshëm, kalimi nga debatet armiqësore te komunikimi i qetë mund të duket i vështirë. Megjithatë, kërkimet tregojnë se terapia në çift mund të ketë ndikim pozitiv në një pjesë të konsiderueshme të çifteve.
Jay Lebow, terapist çiftesh dhe profesor klinik i psikologjisë në Institutin e Familjes në Universitetin Northwestern, thotë se empatia shpesh është dobësuar te çiftet që mbërrijnë në terapi.
Sipas tij, një nga shenjat e përmirësimit është kur partnerët fillojnë të dëgjojnë më mirë njëri-tjetrin.
Në vend që secili të fokusohet vetëm te problemet që ka me partnerin, çifti duhet të përpiqet të kuptojë se çfarë po ndodh mes tyre.
Cole thotë se ka dy shenja që i japin asaj shpresë gjatë seancave të terapisë. E para është kur një partner i thotë tjetrit: “E kuptoj pse do të ndiheshe kështu.”
Sipas saj, kjo tregon se personi është i gatshëm të pranojë perspektivën e partnerit, edhe nëse ajo ndryshon nga e tija.
Shenja e dytë është kur ekziston ende kuriozitet për partnerin. Edhe në rast mosmarrëveshjeje, një person mund të pyesë: “Më trego më shumë për këtë. Si arrite ta besosh këtë?”
Sipas ekspertëve, gatishmëria për të dëgjuar dhe për të kuptuar këndvështrimin e tjetrit është një element i rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënies.
Cole sjell shembullin e një çifti që shkoi në terapi për shkak të debateve të vazhdueshme për paratë.
Të dy ishin rritur në varfëri, por kjo përvojë kishte ndikuar në mënyra të ndryshme tek ata. Gruaja kërkonte siguri financiare dhe pavarësi përmes kursimit dhe buxhetimit, ndërsa burri dëshironte t’i shpenzonte paratë e fituara për të shijuar jetën dhe për të mos u ndier më i përjashtuar për shkak të varfërisë së kaluar.
Kjo solli konflikte të vazhdueshme për shpenzimet.
Në terapi, ata filluan të kuptonin përvojat e njëri-tjetrit dhe mënyrën se si e kaluara kishte ndikuar në qëllimet e tyre. Më pas, arritën një kompromis duke vendosur se sa para do të kursenin dhe sa do të mund të shpenzonin.
Sipas Cole, çifti duhej fillimisht të kuptonte se çfarë ishte e rëndësishme për secilin, përpara se të mund të pranonte ndikimin e tjetrit dhe të gjente një zgjidhje të përbashkët.
Jo çdo marrëdhënie përfundon me pajtim. Por edhe çiftet që vendosin të ndahen mund të përfitojnë nga terapia në çift.
Sipas Lebow, terapia mund t’i ndihmojë partnerët të përballen me ndarjen, të reduktojnë armiqësinë dhe të menaxhojnë ndikimin emocional të procesit. Në rastet kur çifti ka fëmijë, komunikimi më i mirë mund të ndihmojë edhe në mbështetjen e tyre gjatë ndarjes.
Lebow thekson gjithashtu rëndësinë e motivimit të të dy partnerëve. Sipas tij, gatishmëria për të punuar mbi problemet mund të ketë ndikim të madh në rezultat.
Në fund, aftësitë si dëgjimi, empatia dhe gatishmëria për të kuptuar perspektivën e partnerit nuk janë të dobishme vetëm për çiftet që po përballen me kriza. Edhe marrëdhëniet që funksionojnë mirë mund të përmirësohen përmes këtyre aftësive.
Top Channel