Komisioni Artistik-Kulturor miraton propozimin e Veliajt: Thaçi dhe Komandantët e UÇK-së "Qytetarë Nderi" të Tiranës

27 Shtator 2026, 18:30Sociale TEMA
Komisioni Artistik-Kulturor miraton propozimin e Veliajt: Thaçi dhe

Komisioni Artistik-Kulturor i Bashkisë së Tiranës ka miratuar propozimin e Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, për shpalljen “Qytetar Nderi” të Tiranës të katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Propozimi nga komisioni i titujve me kryetar, historianin Pëllumb Xhufi vjen në një moment të ndjeshëm për katër ish-drejtuesit e UÇK-së. Propozimi i Veliajt u miratua unanimisht.

Siç është shprehur Kryetari Veliaj: “Tirana nuk është vetëm kryeqyteti i Republikës së Shqipërisë, por kryeqendra e shqiptarisë.”

Pas miratimit nga Komisioni Artistik-Kulturor, propozimi vijon procedurat institucionale për shqyrtim nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Motivacionet për drejtuesit e UÇK-së:

Hashim Thaçi

Për kontributin e çmuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në përfaqësimin politik të saj dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Kadri Veseli

Për kontributin e çmuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën dhe përkushtimin ndaj afrimit e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Jakup Krasniqi

Për kontributin e çmuar në Luftën Çlirimtare të Kosovës, në përfaqësimin politik të saj dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e tij të hershme me Tiranën, si një nga qendrat e mbështetjes politike e qytetare për Kosovën.

Rexhep Selimi

Për kontributin e çmuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë, me mbështetjen e vendosur të SHBA-së dhe partnerëve euroatlantikë. Për lidhjen e veçantë me Tiranën, kryeqytetin që në ditët e luftës qëndroi pranë Kosovës dhe popullit të saj.

Lini një Përgjigje