Në Slatinë të Mokrës, banorët e fshatit që po boshatiset: Na ka marrë malli për zhurmën e fëmijëve (VIDEO)
Slatina e Mokrës, në Pogradec, është një nga fshatrat ku boshatisja e zonave rurale shihet çdo ditë. Emigrimi, mungesa e punës dhe, mbi të gjitha, rruga e amortizuar kanë bërë që shumë familje të largohen, ndërsa ata që kanë mbetur përballen me një realitet gjithnjë e më të vështirë.
Në këtë fshat, dikur shkolla mbushej me zërat e fëmijëve. Një prej mësuesve tregon se vite më parë në shkollën e Slatinës mësonin rreth 150 nxënës. Sot janë vetëm rreth 30.
Sipas tij, emigrimi është një nga shkaqet kryesore të këtij ndryshimi, ndërsa rruga e vështirë e bën edhe më të vështirë jetën e familjeve që kanë mbetur.
“Këtu gumëzhinte oborri i shkollës, bëheshin lojëra. Tani ka raste që nuk plotësohet as skuadra”, tregon mësuesi.
Edhe fëmijët që kanë mbetur në fshat përballen me pasojat e largimit të bashkëmoshatarëve. Një prej tyre tregon se në fshat nuk ka më fëmijë me të cilët të luajë, ndërsa shumë prej familjeve kanë emigruar.
Por largimi nuk i ka shkëputur plotësisht lidhjet me vendlindjen.
Një adoleshent, i cili jeton në Greqi, tregon se kthehet në Slatinë për të takuar gjyshin.
“Rruga na ndau me gjyshërit. Vijmë të shohim gjyshin dhe kaq. Na merr malli për vendin”, shprehet ai.
Pavarësisht se jeton jashtë Shqipërisë, ai thotë se është krenar për vendin e tij.
“E dua Shqipërinë, këtu jam rritur. Kur më pyesin nga je, them nga Shqipëria. Jam krenar që jam shqiptar”, thotë i riu.
Fjalët e nipit prekin edhe gjyshin, i cili nuk pranon të largohet nga fshati ku ka lindur dhe ka jetuar gjithë jetën.
“Këtu jemi lindur dhe nuk duam ta braktisim vendin. Ta mbajmë këtë vend që lanë prindërit tanë”, shprehet ai, teksa tregon se nipërit i kërkojnë të shkojë të jetojë me ta.
Në Slatinë dikur jetonin rreth 200 familje dhe afro 800 banorë. Sot, sipas banorëve, pjesa më e madhe e familjeve të reja janë larguar jashtë vendit dhe në fshat kanë mbetur kryesisht të moshuarit.
Një banor tregon se dy djemtë e tij jetojnë jashtë Shqipërisë, njëri në Greqi dhe tjetri në Gjermani.
“Na ka marrë malli për zhurmën e fëmijëve”, thotë ai, duke kujtuar kohën kur në një klasë kishte rreth 45 nxënës dhe në mbrëmje fshati mbushej me të rinj.
Banorët thonë se një nga problemet kryesore mbetet rruga. Sipas tyre, premtimet për ndërhyrje kanë qenë të shumta, por investimi ende mungon.
Një prej banorëve, i cili ka jetuar në disa vende të rajonit dhe është kthyer në Slatinë për t’u kujdesur për të atin e sëmurë, thotë se në këto kushte nuk do të mund të qëndronte gjatë në fshat.
“Kushdo që vjen, vetëm llafe. Asgjë nuk kanë bërë. Votën e kërkojnë, ama fjalën nuk e mbajnë”, shprehet ai.
Banorët thonë se janë të gatshëm edhe të kontribuojnë nga xhepi i tyre për përmirësimin e rrugës, pasi ajo nuk është vetëm një lidhje fizike me fshatin, por edhe një mundësi që ata që janë larguar të rikthehen, të paktën për të vizituar vendin ku janë rritur.
Historia e Slatinës së Mokrës u trajtua në emisionin “Njerëzit e Fshatit”, nga gazetari Xhensil Shkëmbi, në Euronews Albania.
Sa aktivë janë europianët në aktivitetin fizik? Sondazhi nxjerr në pah dallimet
Studimi i ri: Moti i ftohtë mund të paralajmërojë rritjen e rasteve të arrestit kardiak
“ADHD rrit me 48% gjasat për probleme gastrointestinale”, çfarë zbuluan studiuesit
- 17:50 Pas takimit Trump-Xi, dy pandat gjigante mbërrijnë nga Kina në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (VIDEO)
- 17:32 Trump për arrestimet pranë RAF në Britaninë e Madhe: “Zhvillim fantastik”, po planifikonin të shkaktonin dëm të madh (VIDEO)
- 17:05 Tejkalohen kërkesat për kreditë 0% për strehim, zbulohet ministria me numrin rekord të aplikimeve
- 16:57 Rusia rrit taksat për konsumatorët, Kremlini kërkon më shumë financime për luftën në Ukrainë
- 16:31 Irani: Presim përgjigjen përfundimtare të SHBA-së për rihapjen e Hormuzit
- 15:51 Detaje nga incidenti me eksplozivë pranë bazës RAF në Britani, arrestohen 5 persona dhe evakuohen 85 familje