Distancohet nga Vlora Hyseni, Rama mbron veten: Jam këtu për histori, jo për pasuri

Nga Fjorela Beleshi
27 Shtator 2026, 19:06 | Politikë

Pas një jave qëndrimi përtej Atlantikut, Edi Rama u kthye në Tiranë, por duket se problemet e vendit që drejton prej 4 mandatesh nuk kishin udhëtuar aq larg.

E përdori në mënyrë simbolike aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” për të treguar se ai nuk kishte asnjë përgjegjësi ndaj akuzave të drejtësisë ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni.

Në krye të herës, Edi Rama u dha përgjigje të gjitha iluzioneve të kundërshtarëve politikë që as “SHISH” nuk mund ta bënte atë të hiqte dorë nga pushteti si kryeministër. Pyetjes se si i hanë bashkëpunëtorët dardha pas shpine, Edi Rama përcolli mesazhin se ai nuk di gjithçka se çfarë i ndodh afër tij, as kur bëhet fjalë për institucione të rëndësisë së veçantë.

U stërbetua që gjatë gjithë karrierës politike nuk ka bërë kurrë pazare me paratë dhe pronat e shqiptarëve.

I detyruar sot për shkak të rëndësisë së ngjarjes, ai tregoi se pse Vlora Hyseni u vendos në krye të SHISH kur qeveria e Kosovës e kishte shkarkuar: "Bazuar mbi referencat e shkëlqyera të shërbimeve partnere, u emërua drejtuese e SHISH".

Ashtu siç ka bërë me disa, por jo me të gjithë, Vlora Hysenit Edi Rama i preu shpresat për mbrojtje politike. Gjatë fjalimit të tij të shkruar, Edi Rama i dha shumë pak hapësirë cenimit të vetë SHISH, pavarësisht se u shpreh se do të gjejë një zgjidhje me Presidentin edhe për emrin e ri.

Rënia e zyrtarëve të qeverisë apo krerëve të institucioneve në rrjetën e SPAK, për Edi Ramën nuk lidhet me korruptimin e vetë sistemit. Edhe pse nga njëra anë pranon që korrupsioni vijon të jetë një hije e rrezikshme e rrugëtimit të ekipit të tij, nga ana tjetër i përçon mesazh vetë sistemit gjyqësor. Këtë mesazh Rama e bëri pa praninë e gazetarëve, me një fjalim të bërë gati, duke zgjedhur të shmangte pyetjet, ku ajo më kryesorja mbetet: deri në çfarë niveli është cenuar siguria kombëtare me përfshirjen e ish-kreut të SHISH në hetim nga drejtësia për nxjerrje të sekretit shtetëror? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos