Kryeministri po kthehet nga Nju Jorku me bilancin më të dobët diplomatik që nga shtatori i vitit 2013, kur shkeli për herë të parë në OKB si kreu i qeverisë shqiptare.
Edi Rama shkoi në Nju Jork për të marrë vëmendje ndërkombëtare. Por mbajti një fjalim “në shkretëtirë” (këtë metaforë përdori ai për sallën bosh të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së kur mbajti fjalimin e tij) dhe u end si në shkretëtirë pa takuar asnjë udhëheqës botëror.
Në fakt, nga Nju Jorku ai u desh të merrej me Tiranën: me skandalin e radhës që goditi qeverinë e tij.
Gjatë gjithë javës, kryeministri bëri vetëm dy postime në rrjetin social X. I pari erdhi të martën: nga Nju Jorku, Rama njoftoi shkarkimin e drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, pak orë pasi gjykata e vendosi në arrest shtëpiak dhe e pezulloi nga detyra. Në mesazhin e tij, ai u përpoq të distanconte veten dhe shumicën qeverisëse nga njeriu që vetë e kishte zgjedhur, duke këmbëngulur se përgjegjësia para drejtësisë është individuale.
Postimi i dytë i Ramës ishte kundër qytetarëve të diasporës që protestuan para hotelit ku qëndronte në Nju Jork, duke e goditur me vezë ndërsa po hynte në godinë.
Kaq ishte gjithçka që publiku shqiptar pa nga java e Ramës në OKB: një shkarkim i detyruar dhe një incident me vezë.
Asnjë takim me udhëheqës botërorë
Sipas informacionit që ka publikuar vetë, e gjithë axhenda e Edi Ramës në SHBA u kufizua në disa takime me diasporën: një në Miçigan, një në Nju Jork, si dhe një fjalim në një darkë të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, po në Nju Jork.
I vetmi aktivitet tjetër ku ai mori pjesë ishte takimi i tetë i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Afrikën dhe Lindjen e Mesme, një organizatë private e themeluar nga biznesmeni tunizian Kamel Ghribi. Zoti Rama ka marrëdhënie personale me zotin Ghribi, i cili premtoi para disa muajsh ndërtimin e një spitali privat në Shqipëri, por detajet e investimit mbeten të paqarta.
Veç fjalimit të zakonshëm në Asamblenë e OKB-së, kryeministri nuk pati ndonjë takim me udhëheqës politikë.
Kontrasti me Albin Kurtin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Nju Jork u takua me disa kongresmenë, me presidentin e Bankës Botërore Ajay Banga, me Princin e Kurorës së Kuvajtit dhe me të Dërguarën e Posaçme britanike për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Kurti mori pjesë edhe në darkën e shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, me udhëheqësit e rajonit, ku ishte ministri i Jashtëm Ferit Hoxha.
Kurti pati edhe një takim kokë më kokë me Recep Tayyip Erdoğan në “Shtëpinë e Turqisë” në Nju Jork.
Takimi i fundit mbart një ironi të veçantë. Pesë vjet më parë, Edi Rama ishte një nga të ftuarit e veçantë të Erdoğanit në inaugurimin e kësaj ndërtese 36-katëshe, “Türkevi”, përveç një takimi kokë më kokë me të.
Dikur ishte ndryshe
Ky vit është krejtësisht i pazakontë për nga mungesa e takimeve politike për kryeministrin. Në debutimin e tij në OKB në vitin 2013, Rama u prit nga Bill dhe Hillary Clinton dhe nga Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon. Dhjetë vjet më vonë, në vitin 2023, ai zhvilloi një takim dypalësh me Volodymyr Zelensky.
Treguesi më simbolik është Erdoğani, me të cilin Rama është takuar pothuajse çdo herë që ka qenë në OKB. Këtë vit, presidenti turk gjeti kohë për Kurtin, por jo për të.
Fjalimin në sallën bosh, Rama e quajti fjalim “në shkretëtirë”. Por shkretëtira nuk ishte vetëm në sallë. Ishte në gjithë axhendën e tij në Nju Jork. /Exit.al












