Kaos te Irlanda, Bazunu refuzon ndeshjen ndaj Izraelit, zgjidhja emergjente e stafit habit UEFA-n ‘Do të më pëlqente të luaja me Ronaldo Fenomenin. Mendoj se do ta ndihmoja të shënonte trefishin e golave. Por për mendimin tim, Maradona është futbolli; topi ka emrin e tij të shkruar në të. Cristiano Ronaldo apo Messi? Janë dy jashtëtokësorë, është e vështirë t’u gjesh një epitet. Do të më pëlqente të luaja me të dy’-janë këto disa nga përgjigjet e dhëna nga Francesco Totti në një intervistë për ‘Corriere Dello sport’ me rastin e 50 vjetorit të tij të lindjes.
Ish kapiteni legjendar i Romës, u rrëfye në 360 gradë duke folur për gjithçka nga fusha e lojës te jeta private.
‘A më peshon kjo shifër 50 vjeç? Herët a vonë vjen…Jam i kënaqur që jam mirë-tha Totti-nëse ndalesh dhe të mendosh nuk janë pak. Por kur nuk mund të bësh atë që të pëlqen…je i destabilizuar; do të jepja gjithçka që të kthehesha të luaja’.
Më pas Totti apo siç e thërrasin ndryshe në Romë ‘Er Pupone’ kthehet të kujtojë vitet e tij si futbollit.
‘Kur më vinte topi, e dija se çfarë duhet të bëja; ndoshta shpesh gaboja, por shumë herë isha i saktë-vijon Totti në intervistën e tij-një cilësi që nuk e kishte asnjë; gjërat që bëja unë nuk e kam parë t’i bëjnë futbollistë të tjerë. Herë pas herë ulëm në divan dhe shoh ndonjë manovër timen dhe mbetem i habitur; isha dikush që më respektonin. Paqe me Spallettin? M’u bë qejfi që e ritakova. Në futboll duhet të jesh i aftë të lësh mënjanë atë që ndodhi në të kaluarën, kjo sepse edhe unë gabova si në fushë edhe jashtë saj në ndonjë intervistë’.
Totti foli edhe për trajnerët që ka pasur në karrierën e tij.
‘Mazzone e Zeman janë ata që më kanë kuptuar më mirë, Bianchi ka qenë ai me të cilin nuk jemi marrë vesh kurrë, ndoshta ka qenë edhe për faktin se isha i ri-tregon ish kapiteni i Romës-e megjithatë ishte Sensi ai që e largoi. Unë isha një futbollist i rëndësishëm, kapiteni i Romës, kisha dukshëm një peshë ndryshe nga të tjerët, por nuk ndikoja te vendimet e drejtuesve’.
Totti është një legjendë e gjallë e verdhekuqve, por pas një periudhe të shkurtër atij nuk i është dhënë më një rol drejtuesi në klub.
‘Gjithnjë kam thënë se martesat bëhen me dy persona. Lashë 3 vite kontratë si drejtues; nuk më pëlqente të rrija në klub pa bërë gjë dhe të isha i padobishëm-vijon Totti rrëfimin e tij
Më pas Francesco Totti foli edhe për Romën aktuale
‘Gasperini është një prej trajnerëve më të mirë në Serie A-tha Totti-e ka treguar te Atalanta dhe tani e ka situatën në dorë; nëse i lënë rrugë të lirë, ka mundësi të shkëlqyera për të bërë mirë. A është Dybala gati të marrë nr.10? Mendoj se është një fanellë që nuk duhet të jepet pas vetëm 5-6 ndeshjeve të mira. Duhet një projekt afatgjatë. Është klubi që duhet të vendosë në këtë pikë’.
Dhe në fund Totti zbuloi edhe diçka në lidhje me merkaton për të.
‘Nëse do të largohesha nga Roma, do të doja të shkoja te Milani. Kjo sepse, edhe kur isha fëmijë e simpatizoja. Vitet e Sacchit dhe të holandezëve më bënë për vete; ishte një skuadër që fitonte gjithçka dhe ishte shumë e bukur për t’u parë’-përfundoi Francesco Totti.
Top Channel