Nga Hysni Gurra
Edi Rama njoftoi nga New Yorku se me të mbërritur në Shqipëri do të mbante një konferencë emergjente me gazetarët në aeroportin “Nënë Tereza”.
Hamendësimet dhe aludimet vërshuan në gjithë format e fantazisës së secilit.
Por Edi Rama nuk zhgënjeu, erdhi, anuloi takimin me gazetarët dhe nxori një video-mesazh të regjistruar ku shpalosi edhe njëherë frikërat që qarkullojnë në një mendje diabolike si e tija, frikëra që si rrallë herë gurguleja e fjalëve nuk mundi as t’i fshehë, as t’i zbusë.
Qëllimi dhe frikërat
Qëllimi i parë i këtij monologut të vogël në Rinas ishte të fshehë dështimin sepktakolar të një monologu të madh që mbajti në sallën e boshatisur të OKB-së.
Vizita e tij disa ditore në Shtetet e Bashkuara ishte një dështim që nuk mund ta mbulojë dot me monogologun e Rinasit. Ndërsa kryeministri i Maqedonisë së Veriut takoi Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubion dhe disa kongresmenë e zyrtarë të lartë të administratës Trump, Edi Rama takoi vetëm Pjerin Ndreun dhe Taulant Ballën.
Turpërim të tillë Shqipëria nga përfaqësimet e deritanishme në OKB nuk ka patur ndonjëherë më parë.
Qëllimi tjetër ishte të bënte hasha atë që nuk bëhet dot. U përpoq të minimizojë skandalin më të madh të ndodhur ndonjëherë më parë në vend, atë të përdorimit të Shërbimit Informativ Shtetëror për llogari të grupeve kriminale. Vlora dhe Gysi janë as më pak e as më shumë se Edi Rama vetë.
U përpoq dëshpërimisht, duke turfulluar, të nxirte kokën nga llumi i korrupsionit ku është zhytyr vetë dhe gjithë enturazhi i tij i Rilindjes.
Ai e di shumë mirë se shqiptarët tashmë e kanë të qartë se pas miliarda eurove të korrupsionit në Shqipëri qëndron një emër i përveçëm që ka patur dijeni, Edi Rama. Dardhat e pjeshkët nuk i ha më kush.
-Shqiptarët e dinë tashmë se pas inceneratorit të Tiranës qëndron Edi Rama dhe Erion Veliaj.
-Shqiptarët e dinë se pas EcoParku është Edi Rama
-Shqiptarët e dinë se kanabizimi i Shqipërisë është bërë me dijeni të Edi Ramës.
Edi Rama e di se shqiptarët tashmë nuk e hanë më gugullimën e fjalëve të tij sepse e dinë që koncesionet dhe përdorimi i pasurisë publike, çështja e Charles McGonigal, kontrolli dhe ndërsimi i drejtësisë atje ku do ai janë të gjitha me dijeni të ti.
Edi Rama e di se sot që flasim Porti i Durrësit është një “zonë e lirë” ekonomike për “hamejtë”. Ai e di shumë mirë se drejtorët e portit dhe policët kufitarë janë shërbëtorë të “hamenjve” të portit.
Frikërat
Edi Rama e di se tashmë nuk ka shqiptar që nuk e di se kush është ai, kjo gjë e tmerron dhe përpiqet të ndikojë sa të mundet, kë të mundet.
Për një njeri që ka patur primatin e kontrollit të narrativës publike, humbja e këtij primati është një tmerr i vërtetë.
Për drejtësinë
Ai u mundua edhe sot të ndërsejë drejtësinë atje ku do vetë, siç ka bërë deri më tani.
Tha se drejtësia ka marrë masë ekstreme për Vlora Hysenin. Po t’i kujtojmë me radhë selektivitetin e deklaratave të Ramës për njerëzit e përzemërt dhe për ata që kishte plane t’i bënte koka turku. Pa llogarit këtu kundërshtarët politikë, s’po i marr fare në analizë urdhërat publike për arrestimin e tyre.
Për Saimir Tahirin tha: kërkesa e arrestimit është arbitrare dhe argumentoi se kërkohej arrestimi pa u marrë më parë në pyetje.
Pra, mbrojtje shumë e fortë personale dhe politike, ndërsa kundërshtoi edhe masën e kërkuar nga prokuroria.
Për Erion Veliajn kritikoi arrestimin dhe mënyrën e trajtimit të tij para një vendimi përfundimtar.
Për Belinda Ballukun, Edi Rama kaloi edhe më hapur në mbrojtje institucionale e politike. Për pezullimin e saj nga detyra tha: “një absurditet të rrezikshëm.”
Pra, Ballukun Rama e mbrojti kryesisht duke sulmuar dhe vënë në pikëpyetje mënyrën dhe kompetencat me të cilat po vepronte drejtësia.
Për Vlora Hysenin e thamë, e quajti masë ekstreme.
Ndërsa për Arben Ahmetajn pati një dallim të madh. Rama ka përdorur një gjuhë shumë agresive ndaj Ahmetajt, përfshirë frazën: “Po të isha unë prokuror, gjërat do të ishin shumë më keq.”
I solla këto raste për të ilustruar orientimin, ose ndërsimin që e quaj unë, që Rama i bën drejtësisë.
Dhe frika e fundit e Edi Ramës, të cilën nuk e fshehu dot në gurgullimën e fjalëve gjatë monologut të vogël në Rinas është agonia.
Ai e ndien se “profecia” e tij, “skeni parë gjë akoma” do të përmbushet pikërisht me të. Se ajo çfarë do të shohin shqiptarët në vijim do të jetë hiçgjë me çfarë kanë parë deri tani për Edi Ramën.
Kështu u mundua që të shkruajë një epitaf, me shpresën që të përdoret ai që po le amanet vetë dhe jo ai që pritet t’i vendoset jetës së tij politike 28 vjeçare në pushtet nga drejtësia dhe historianët.
© SYRI.net