Paratë e huaja po ndryshojnë hartën e investimeve në Shqipëri.
Në gjysmën e parë të këtij viti, Austria ka kaluar në krye të listës së investitorëve të huaj ndërsa pas tyre vijnë Turqia dhe Italia. Por përtej vendeve nga vijnë paratë, ajo që bie më shumë në sy është se ku po investohen ato.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë për 6-mujorin e parë të vitit investimet e kompanive me kapital austriak arritën vlerën e 122 milionë eurove, në rritje me 79% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Investimet austriake në Shqipëri janë të përqendruara sidomos në tregun e sigurimeve, në sektorin energjetik dhe në shërbimet e hotelerisë.
Pas Austrisë renditet Turqia, me 111 milionë euro investime në gjashtë muaj. Kompanitë turke po investojnë më shumë në sektorin financiar, energjetik, industrinë nxjerrëse dhe ndërtim. Italia vijon me një fluks total prej 99 milionë eurosh, ndërsa Holanda ka zbritur në vendin e katërt.
Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për regjistrimin e kompanive mëmë, përmes të cilave mund të kontrollohen investime ndërkombëtare në kompani të ndryshme.
Kapitali i huaj po hyn në Shqipëri, por zgjedhjet e investitorëve tregojnë edhe se cilat fusha po shihen sot si më tërheqëse.
Nga 1.14 miliardë euro investime të huaja, 609.6 milionë euro janë investuar në pasuri të paluajtshme. Në këtë sector rritja krahasuar me një vit më parë është mbi 140%.
Në vend të dytë renditen aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ndërsa rritje është regjistruar edhe në industrinë përpunuese, si dhe në informacion dhe komunikacion. Edhe ndërtimi ka shënuar një rritje të fortë. Investimet në këtë sektor pothuajse u trefishuan.
Por jo të gjithë sektorët kanë marrë më shumë kapital të huaj.
Industria nxjerrëse shënoi një tkurrje të fortë. Investimet ranë nga 97.2 milionë euro në 27.6 milionë euro. Rënie pati edhe transporti dhe magazinimi, ndërsa akomodimi dhe shërbimi ushqimor.
Ndërsa prona dhe ndërtimi po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje, rënia në sektorët e tjerë tregon se fluksi i investimeve nuk po shpërndahet njësoj në të gjithë ekonominë.
INVESTIMET E HUAJA NË SHQIPËRI NGA AUSTRIA
6-mujori 0.122 mld euro
Stoku 1.39 mld euro
INVESTIMET E HUAJA SIPAS SHTETEVE, 6 MUJORI
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
Austri 122 mln euro
Turqi 111 mln euro
Itali 99 mln euro
Holandë 89 mln euro
INVESTIMET NË PASURI TË PALUAJTSHME
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
Totali 1.14 mld euro
Prona 0.609 mld euro
INVESTIMET E HUAJA NË SEKTOR TË NDRYSHËM
Prona 609 mln euro
Akt. Financiare 180.9 mln euro
Industri përpunuese 92 mln euro
Informacion/komunikacion 47.3 mln euro
SEKTORËT ME RËNIE TË INVESTIMEVE TË HUAJA
(Burimi: Banka e Shqipërisë)
Ind. Nxjerrëse -71.6%
Transport/magazinimi -31.5%
Akomodimi -27.1%
Top Channel