Një lagje e tërë në pjesën malore të Libohovës po përballet me një situatë shqetësuese.
Dhjetëra familje në lagjen “Hoxhallarë” denoncojnë praninë e një stalle me rreth 50 lopë, e vendosur pranë banesave të tyre. Banorët pretendojnë se mbetjet organike të kafshëve derdhen në terren dhe, sipas tyre, arrijnë deri te burimi i ujit që furnizon lagjen. Për këtë arsye, ata thonë se janë detyruar të sigurojnë ujë rreth 10 kilometra larg banesave të tyre.
Situata, sipas banorëve, ka sjellë edhe shtim të insekteve dhe erë të rëndë në zonë. Ata shprehen se gjendja është bërë e vështirë dhe se po mendojnë edhe largimin nga lagjja. Për shqetësimin e banorëve u kërkua një reagim nga Bashkia Libohovë.
Kryetari i bashkisë, Lenord Hide, tha se institucioni që drejton i ka dërguar pronarit të stallës një shkresë zyrtare për zhvendosjen e saj dhe i ka lënë një afat për marrjen e masave. Në të kundërt, sipas Hides, Bashkia Libohovë do të ndërmarrë hapa ligjorë për zgjidhjen e situatës.
Top Channel