Këlliçi: Betimet e Ramës se ai nuk ka vjedhur, në fakt provojnë të kundërtën

Nga A2 CNN
27 Shtator 2026, 20:14 | Politikë

Këlliçi: Betimet e Ramës se ai nuk ka vjedhur, në fakt

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i cilësoi "përçartje" deklaratat e kryeministrit Edi Rama nga Rinasi dhe theksoi se ato lidhen me gjërat që kanë ndodhur, sipas tij, në Nju Jork.

"Edi Rama i thirri gazetarët në Rinas për një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, por, i frikësuar nga pyetjet, iu kthye monologut të zakonshëm. Foli si një jerm për armiqtë e brendshëm dhe sukseset e mëdha që, sipas tij, këta armiq i pengojnë. Përçartja e Ramës lidhet edhe me atë që ndodhi në New York: foli për inteligjencën artificiale dhe akuzoi popullin e tij si antisemit, në një sallë krejt të boshatisur, ndërsa Vuçiçi ia la fjalën për Kosovën. Atje u prit me protesta, duke nisur nga takimi i parë në Michigan, dhe pas bojkotit total, takimet e vetme që realizoi janë ato me Taulant Ballën dhe Pjerin Ndreun. U kthye nga New York, ku e pritën me protesta dhe përçmim pas shpenzimeve përrallore, të denja vetëm për kreun e një Narkoshteti. Fjalimi i tij për Diellën, i shkruar nga ChatGPT, ngjalli neveri. I rënduar nga barra e çështjeve që rrethojnë qeverisjen e tij, në vend që të dilte përpara gazetarëve, siç kishte njoftuar, u struk në një monolog të turpshëm. Motoja e tij ishte: “Mos kujtoni se ju kam vjedhur”. Në monologun e tij të vetposhtërimit, Padrino bëri avokatinë e Vlora Hysenit, kësaj zyrtareje pa moral, pa dinjitet dhe pa atdhe, që u emërua në atë detyrë të besimit më të lartë shtetëror, në kundërshtim me çdo kriter e parim. Merita e vetme e saj ishte shkarkimi nga autoritetet e Kosovës për grabitje dhe dorëzim në Beograd, të të dhënave të Shërbimit Informativ të Kosovës", tha Këlliçi, shkruan A2.

Sipas nënkryetarit demokrat, "betimet e tij se ai nuk ka vjedhur, në fakt provojnë të kundërtën".

"Ti, Edi Rama, je njeriu që ke shkarkuar në mënyrë antikushtetuese kryetaren e ILDKP-së, sapo ajo nisi hetimin për pallatin pesëkatësh të bashkëshortes tënde, të marrë në pajë: një ndërtesë pa fatura doganore, tatimore, bankare apo ndërtimore, e ngritur nga një kompani që fitoi qindra milionë euro në tendera.
Ti, Edi Rama, je njeriu që, në shkelje të Kushtetutës, shkarkove kryetaren e ILDKP-së, sapo ajo nisi hetimin për sarajet e tua: me themele 57 metra të gjata dhe park prej 8,300 metrash katrorë, më të mëdha se Pallati Presidencial, të ndërtuara në një kohë kur ti kishe deklaruar vetëm 3,800 euro dhe 400 mijë lekë kursime.
Ti, Edi Rama, je njeriu që je akuzuar në një raport zyrtar të OSBE-së të vitit 2014 për 200 milionë euro të fshehura në banka offshore.
Ti, Edi Rama, je njeriu që ke firmosur personalisht dhënien e 130 milionë eurove për inceneratorin e Tiranës, tetë muaj përpara se të themelohej kompania së cilës ia dhe.
Ti, Edi Rama, je njeriu që je akuzuar drejtpërdrejtë, për transportimin jashtë vendit, me avionin tënd, të qindra valixheve me euro, por refuzove ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar.
Ti, Edi Rama, je kryehajduti i shqiptarëve, më i madhi i të gjitha kohërave, autori i vërtetë i koncesioneve të sterilizimit, Check-Up-it dhe analizave, përmes të cilave, së bashku me ministrat e tu, keni vjedhur të paktën 300 milionë euro.
Ti je hajduti që, së bashku me Alabari-n tënd, ke vjedhur truall publik me vlerë 3 miliardë euro në Portin e Durrësit.
Ti, Edi Rama, je kryehajduti i shqiptarëve në tërë historinë e tyre. Për të shkatërruar përfundimisht sistemin e prokurimeve, ke shpikur modelin “KAYO”: me të cilin mallrat e blera me paratë e taksapaguesve ia shesin qeverisë tënde të korruptuar, dhe fitimin e ndajnë me ty", u shpreh më tej Këlliçi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos